Berisha: Ndërpresim çdo lloj bashkëpunimi me mazhorancën

TIRANË, 14 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se “me zgjedhjen e Endri Shabanit në postin e Avokatit të Popullit, Edi Rama tregoi se çdo formë bashkëpunimi me të është fasadë.
Berisha theksoi se përmirësimet në ligjin e zgjedhjeve apo reformën territoriale janë të domosdoshme, por me aktin që kreu Edi Rama për zgjedhjen e Shabanit Avokat Populli, pasi opozita kishte tërhequr firmat ndaj tij, ai tregoi se çdo formë bashkëpunimi me të është thjesht fiktive, thjesht fasadë.
“Dhe kryesia e Partisë Demokratike mori dje vendimin të ndërpresë çdo lloj bashkëpunimi me mazhorancën e krimit apo pseudo-mazhorancën”, u shpreh Berisha.
Sipas tij, “Edi Rama firmosi fundin e këtij bashkëpunimi”.
Berisha u shpreh se “kandidatura e Endri Shabanit nuk është firmosur me urdhër nga PD”.
“Nuk ka patur një urdhër nga drejtues të PD-së që të firmosin. Firmosja e saj ka ardhur në kontekstin e klimës së krijuar nga bashkëpunimi për bashkinë e Tiranës”, tha Berisha, ndërsa theksoi se firmat ishin akt i nxituar, ndaj dhe ndjesa publike.
“Kurse zgjedhja e tij nuk ka asnjë lidhje me firmat, sepse firmat ishin tërhequr. Sigurisht Edi Rama përdori si pretekst për të mashtruar qytetarët, por qytetarët duhet ta dinë se firmat ishin tërhequr po me firmë”, shtoi ai.
/a.f/