KIEV – Zelensky: Shtatë rajone pa energji elektrike

KIEV, 14 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qindra mijëra familje ukrainase vazhdojnë të jenë pa energji elektrike, postoi sot presidenti Volodymyr Zelensky në Telegram.
“Situata vazhdon të jetë e vështirë”, tha Zelensky pas sulmeve masive ruse me dronë dhe raketa në infrastrukturën energjetike të vendit të tij.
”Rajonet e prekura përfshijnë Mykolaiv, Odessa, Kherson, Chernihiv, Donetsk, Sumy dhe Dnipropetrovsk”, tha ai.
Zelensky shtoi se njerëz ishin plagosur në sulmet e përsëritura gjatë natës.
Ai akuzoi Moskën se po përpiqej të bënte sa më shumë dëme të ishte e mundur përpara bisedimeve në Berlin me përfaqësues nga Shtetet e Bashkuara dhe fuqitë e mëdha evropiane.
“Rusët kanë lëshur më shumë se 1 500 dronë luftarakë, pothuajse 900 bomba të drejtuara dhe 46 raketa të llojeve të ndryshme në Ukrainë këtë javë – vetëm në një javë”, tha Zelensky.
Ai publikoi një video të dëmeve të shkaktuara.
Zelensky tha se priste përpjekje intensive diplomatike gjatë ditëve në vijim.
“Është shumë e rëndësishme që ato të çojnë në rezultate. Unë mbështetem në përkrahjen e partnerëve tanë”, tha ai./ a.jor.