Berisha: Ne e ndërtuam dixhitalizimin për qytetarin, duhet të ketë transparencë

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi sot se qeveria e drejtuar prej tij kishte nisur procesin e dixhitalizimit me synim përmirësimin e shërbimeve për qytetarët, ndërsa akuzoi qeverinë dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) se e kanë kthyer teknologjinë në një sistem tenderimesh dhe abuzimesh.
Berisha foli në takimin e organizuar nga Departamenti i Inteligjencës Artificiale i PD-së me temë “E ardhmja digjitale e Shqipërisë – Mundësitë e Teknologjisë Blockchain”.
Duke iu referuar periudhës së qeverisjes së tij, Berisha tha se dixhitalizimi ishte konceptuar si një instrument për luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës.
“Ne shpallëm moton ‘Shqipëria në moshën dixhitale’ dhe e vërteta është që në atë kohë pjesa më e madhe e mediave përqeshën qeverinë dhe këtë moto. Por me vendosmëri kjo moto apo ky proces u shndërrua në një nga proceset më të suksesshme të asaj qeverisjeje”, tha ai.
Berisha përmendi prokurimet elektronike, shërbimet online dhe thesarin online si disa prej nismave të ndërmarra gjatë qeverisjes së tij.
“Problemi ynë madhor ishte korrupsioni dhe ne donim që kjo teknologji të përdorej në fushat ku korrupsioni ishte më i shprehur”, u shpreh Berisha, duke shtuar se teknologjia u përdor edhe për procesin e maturave dhe transparencën e shpenzimeve publike.
Duke folur për AKSHI-n, Berisha pretendoi se pas ndryshimit të qeverisë mënyra e organizimit të tenderimeve në fushën e teknologjisë ka ndryshuar.
“Po ju them sinqerisht, nëse në Shqipëri për teknologjinë dixhitale mund të shkruhet libri më i zi i planetit, këtë libër të zi në planet e realizoi po AKSHI”, deklaroi ai.
“Në vend të praktikave transparente, të decentralizuara të tenderimeve për sistemet dhe mirëmbajtjen në të gjitha shkollat, administratën kudo, ne arritëm në një praktikë ku të gjitha tenderimet në territorin e Shqipërisë në këtë fushë bëheshin vetëm nga AKSHI”, tha kreu i PD-së.
Berisha kritikoi gjithashtu mënyrën e funksionimit të AKSHI-t, duke e akuzuar agjencinë për keqpërdorim të të dhënave personale dhe për mungesë transparence në prokurime.
“AKSHI u shndërrua në një mallkim për shqiptarët. Të gjitha të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë, të dhënat e shtetit në mirëbesimin që qytetari duhet të tregojë ndaj shtetit, të gjitha të dhënat ju kaluan ushtrisë terroriste elektorale të patronazhistëve”, deklaroi Berisha.
Berisha tha se teknologjia digjitale duhet të lidhet mbi të gjitha me transparencën.
“Teknologjia dixhitale është teknologjia e transparencës. Sinonimi më i përshtatshëm kjo është transparencë, përveç të tjera e të tjera me radhë”, u shpreh Berisha.
Ai theksoi rëndësinë që teknologjia të përdoret për përmirësimin e proceseve publike dhe garantimin e transparencës.
“Pse e bëra këtë ekspoze? Për të kuptuar se çfarë rëndësie jetike ka teknologjia. Se ne nuk heqim dorë kurrë nga këto”, tha Berisha.
Berisha e lidhi përdorimin e blockchain me nevojën për të rritur transparencën dhe për të ndryshuar mënyrën e funksionimit të administratës publike.
“Blockchain është ndoshta teknologjia më e domosdoshme për të dalë nga ky kaos i tmerrshëm në të cilin me qëllim e ka zhytur Edi Rama Shqipërinë, duke abuzuar in ekstremis me teknologjinë dixhitale”, deklaroi kreu i PD-së.
/gj.m/j.p/