Reforma Territoriale, status qyteti për disa njësi dhe ndryshime në organizimin vendor

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, i drejtuar nga kryetari Ulsi Manja, miratoi sot projektligji për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë, së bashku me anekset dhe hartën përkatëse.
Projektligji u miratua me 8 vota pro, pa vota kundër dhe pa abstenime. Në mbledhjen e komisionit nuk morën pjesë deputetë të opozitës.
Gjatë shqyrtimit nen për nen u miratuan disa ndryshime të propozuara nga relatorët, ndërsa në projektligj u reflektuan edhe kërkesa të ardhura gjatë procesit të konsultimit publik nga këshillat bashkiakë dhe kryetarët e bashkive.
Një prej ndryshimeve lidhet me statusin e qytetit për disa njësi. Sipas propozimeve të miratuara, Kastrati në Bashkinë Malësi e Madhe, Bushati në Bashkinë Vau i Dejës, Ulza në Bashkinë Mat, Krasta në Bashkinë Bulqizë, Miloti në Bashkinë Kurbin dhe Golemi në Bashkinë Kavajë do të marrin statusin e qytetit.
Në Bashkinë Kurbin, krahas Laçit dhe Mamurrasit, do të përfshihet edhe Miloti me statusin e qytetit, ndërsa në Bashkinë Malësi e Madhe, krahas Koplikut, do të jetë edhe Kastrati.
Komisioni miratoi gjithashtu disa saktësime teknike në kufijtë territorialë, të propozuara gjatë konsultimit me njësitë e qeverisjes vendore.
Projektligji parashikon edhe mundësinë që këshillat bashkiakë, përmes vendimmarrjes së tyre, të bëjnë ndryshime në emërtimin, shtrirjen territoriale dhe kufijtë e njësive përbërëse dhe nëndarjeve të tyre, në përputhje me nevojat e komuniteteve vendore dhe efektshmërinë administrative, jo më shpesh se një herë në 10 vjet. Për këto ndryshime parashikohet informimi i publikut dhe zhvillimi i konsultimit me komunitetin.
Kryetari i komisionit, Ulsi Manja, deklaroi se kërkesat e reflektuara në projektligj kanë ardhur nga këshillat bashkiakë dhe kryetarët e bashkive gjatë periudhës së konsultimit publik.
Sipas tij, projektligji i jep gjithashtu këshillave bashkiakë një rol në organizimin e brendshëm të bashkive pas miratimit të ndarjes së re administrative-territoriale.
Manja e cilësoi miratimin e projektligjit si një hap të rëndësishëm të reformës territoriale, ndërsa theksoi se puna pritet të vijojë me ndryshime të tjera që lidhen me funksionet, kompetencat, decentralizimin, buxhetimin dhe financat e njësive të qeverisjes vendore.
Pas miratimit në komision, projektligji pritet të kalojë për votim përfundimtar në seancën plenare të Kuvendit më 8 tetor.
/gj.m/j.p/