Berisha: Në vitin 1992 bëra kërkesat e mia në një vend të shenjtë. Deri më tani jam mirënjohës

Berisha fut letren me deshira te Muri i Loteve
Kryeministri Sali Berisha u foli gjerë e gjatë ministrave të tij për vizitën në Izrael, duke u bërë përpara kamerave një pasqyrë të detajuar. Berisha tha se kishte takuar zyrtarët më të lartë të këtij vendi, duke marrë premtimin për mbështetje ekonomike. Kryeministri nuk la pa përmendur edhe faktin e mirënjohur se në Izrael ka një vlerësim të madh për shqiptarët si vend që kanë shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Berisha foli me superlativa për ekonominë e bujqësinë e Izraelit, por edhe qytetin e Tel Avivit, pasi tha se nuk kishte parë qytet më të gjelbëruar e të sistemuar.
Berisha më pas u ndal gjatë tek vizitat në vendet e shenjta në Jeruzalem. Berisha tha se ishte ndjerë mirë që kishte vizituar djepin ku kanë lindur tre fe të mëdha.
Pata rastin të prek edhe gurin më të shenjtë, gjënë më të shenjtë të botës së krishterë, rasën ku është shtrirë trupi i Jezusit.
Aty ishte edhe dora e Mari Madalenës e balsamosur. U ngjita edhe në kodër ku është kryqëzuar Krishti, tha Berisha.
Kryeministri tha se vendosi një letër me tre urime në Murin e Lotëve. Ai zbuloi se një gjë të tillë e ka bërë edhe në vitin 1992 në një vend të shenjtë dhe mesa duket i janë plotësuar dëshirat. Pashë xhaminë e Omerit, madhështore. Këto janë jashtë qytetit. Brenda në qytet është Muri i Lotëve. Unë në traditën e vizitorëve, vendosa një letër me tre urime, krejtësisht të brendshme, private, por ishin tre, jo një. Isha në vitin 1992 në një vend të shenjtë jashtë vendit dhe bëra kërkesat e mia. Deri më tani vetëm mirënjohje kam, tha Berisha, i cili para disa kohësh groposi një shishe më amanete në Malin e Dajtit.
Në qytet vizitova edhe gurin më themelor të judaizmit. Karshi ishte xhamia ku pejgamberi erdhi një natë, u hapën shtatë qiejt dhe u ngrit në qiell me lutjen e Zotit. E vizitova për të tretën herë djepin e besimeve të mëdha të njerëzimit.
Në fund Berisha sërish falënderoi kryeministrin izraelit për ftesën.
E mbyll me një mirënjohje të thellë për kryeministrin Netanjahu, ftesën që më bëri dhe pritjen shumë të ngrohtë që më rezervoi.