Berisha: Në zgjedhje edhe vetëm. Rama: Të të rrojë KQZ në shpinë
Replika të ashpra në distancë ndërmjet dy rivalëve kryesorë
Situata
KQZ - Aktualisht, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vetëm katër anëtarë aktivë nga shtatë që ka të përcaktuar. Kjo si pasojë e dy dorëheqjeve dhe e ngrirjes së veprimtarisë së një anëtari.
Marrëveshja - Aktualisht duket se opozita kërkon një marrëveshje të re mes palëve për sa i përket rikompozimit të KQZ-së. Rama ka kërkuar dhe ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve për të.
Fatjona Mejdini
Kryeministri Berisha ka paralajmëruar dje nga Gjirokastra opozitën në vend se puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, do të vijonte normalisht pavarësisht faktit se dy nga anëtarët e këtij institucioni kishin dhënë dorëheqjen dhe një tjetër kishte ngrirë veprimtarinë. Në Gjirokastër, Berisha ishte për takime elektorale dhe i pyetur për sa i përket situatës politike në vend theksoi se ai kishte kuptuar që Rama kërkonte të shtynte zgjedhjet dhe një gjë e tillë nuk kishte për të ndodhur. Kreu i qeverisë bëri të qartë se ai ishte i vendosur të hynte në to në datë 23 prill dhe sikur opozita të mos futej. Por nga ana tjetër, Rama, përmes rrjeteve sociale bëri të ditur dje se Berisha bërtiste thjesht nga paniku, PS nuk kërkonte të shtynte zgjedhjet dhe se data 23 qershor do të ishte ajo e ndëshkimit të Berishës dhe Rilindjes së vendit.
Berisha
Nga Jugu i Shqipërisë, Berisha theksoi se Rama kërkonte të shtynte zgjedhjet për shkak se aleanca me Ilir Metën i kishte kushtuar humbje të elektoratit socialist. Koalicionin unë e kam cilësuar si aleanca e ngjalave apo aleanca Koka. Por qesharake është ideja e Ramës, i cili fluturonte nga gëzimi se morëm një pjesë të qeverisë. Mori një pjesë të qeverisë, por nuk mori qeverinë. Dhe ideja e tij se duke shkuar në zgjedhje kanë shanse edhe qeveri e madhe edhe qeveri e vogël. Zero shanse kanë ata. Tani e ka kuptuar se në vend që të rriteshin, janë zvogëluar sa asnjëherë, janë në rekordin më të ulët historik. Pardje filloi të shtyjmë datën e zgjedhjeve. As edhe një sekondë – ishte përgjigjja, deklaroi dje Berisha teksa ishte duke përuruar argjinaturat mbrojtëse të lumit Drino. Ai theksoi gjithashtu se do të hynte në zgjedhje dhe sikur Rama dhe opozita të mos pranonin të futeshin në to. Mos të hyjë. Po kapitullon para se të shkojë në zgjedhje. Dje i bënë presion të jashtëzakonshëm Jani Janit dhe i thanë ngri në verë. A ngrin burri në verë?, vijoi Berisha, duke theksuar se problemi i tij i vetëm ishin qytetarët dhe jo axhenda e kreut të opozitës. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se ai nuk kishte as dhe ndonjë problem nga ndërkombëtarët, sepse ata kërkonin zbatimin e Kushtetutës në vend, gjë e cila ishte bërë. Shqiptarët, ndërkombëtarët dhe e mbarë bota kanë një kërkesë: Kushtetuta të respektohet. Se mendon Rama se mori tre ministri dhe u bë qeveri, ajo është punë e tij. Kushtetuta përcakton se kush është qeveri dhe kush është opozitë, theksoi ai.
Rama
Por nga ana tjetër kreu i PS-së, Edi Rama, ka mohuar deklaratat e Berishës sipas të cilave, ai kërkonte të shtynte zgjedhjet e 23 qershorit. Berisha bërtet nga paniku, sikur ne duam të shtyjmë zgjedhjet! Kurrsesi: 23 qershori është dita e ndëshkimit dhe Rilindjes! Ti rrojë KQZ në shpinë, theksoi Rama përmes rrjeteve sociale.
Berisha: Në zgjedhje edhe vetëm. Rama: Të të rrojë KQZ në shpinë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email