E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA: KQZ-ja minoi të drejtat e qytetarëve. PD përqendroi pushtetet

Gazeta Shqip

Publikohet raporti i Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut

DASH, kerryShtetet e Bashkuara të Amerikës kanë publikuar një tjetër raport ndëshkues për qeverinë shqiptare. Ditën e djeshme, Departamenti Amerikan i Shtetit shpërndau raportin global për të drejtat e njeriut, për të gjithë vendet e botës, në të cilin përfshihet edhe Shqipëria. Në raport ka akuza të forta për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili ka minuar të drejtën e votës dhe mazhorancën, e cila sipas DASH ka përqendruar në duart e saj institucionet kushtetuese të vendit. Në raport ka akuza të forta edhe për korrupsionin, i cili sipas qeverisë së SHBA është i përhapur dhe i pandëshkuar. Në përmbledhjen ekzekutive të raportit të Departamentit të Shtetit për Shqipërinë, theksohet edhe thelbi i këtij dokumenti në lidhje me gjendjen e të drejtave e njeriut. Më poshtë po botojmë të plotë këtë përmbledhje

Raporti

Republika e Shqipërisë është një demokraci parlamentare. Kushtetuta ia vesh autoritetin legjislativ Parlamentit me një dhomë (Kuvendi), i cili zgjedh si Kryeministrin ashtu edhe Presidentin. Kryeministri kryeson qeverinë, ndërkohë që Presidenti ka pushtet të kufizuar ekzekutiv. Në vitin 2009, vendi zhvilloi zgjedhje parlamentare, të cilat Zyra për Institucionet Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) i përshkroi se kishin bërë përparim krahasuar me zgjedhje të mëparshme, por nuk realizuan plotësisht angazhimet e OSBE-së. Forcat e sigurisë raportojnë pranë autoriteteve civile. Korrupsioni i kudogjendur në të gjitha degët e qeverisjes, e sidomos në sistemin e drejtësisë, mbeti një problem serioz. Axhenda e reformave, në veçanti lufta kundër korrupsionit, faktikisht ngeci teksa partitë politike e zhvendosën vëmendjen e tyre te zgjedhjet kombëtare të vitit 2013. Institucione shtetërore thellësisht partiake, përfshirë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, minuan të drejtat e qytetarëve për të sfiduar drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverisjen e tyre. Konsolidimi i vazhdueshëm i pushtetit në duart e partisë në pushtet gërreu më tej besimin publik në pavarësinë e institucioneve të vendit. Mënjanimi dhe abuzimi i bashkësive rome dhe egjiptiano-ballkanike ishin probleme të rëndësishme të të drejtave të njeriut. Probleme domethënëse ishin edhe rrahja nga policia dhe keqtrajtime të tjera të të dyshuarve gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, hera-herës për tu nxjerrë rrëfime. Probleme të tjera përfshinin dhunën në familje dhe diskriminimin kundër gruas, abuzimin e fëmijëve, si dhe diskriminimin mbi bazë orientimi seksual dhe identiteti gjinor. Vazhduan të raportoheshin raste të trafikimit të personave. Përpjekjet e qeverisë për të ndjekur penalisht zyrtarët që kryenin abuzime ishin sporadike dhe jokonseguente. Shumë zyrtarë të qeverisë dhe politikanë në përgjithësi, ashtu si dhe gjykatës, gëzonin imunitet nga ndjekja penale, dhe personat me interesa të fuqishme biznesi shpesh ia dilnin të shmangnin ndjekjen penale. Disa zyrtarë të niveleve më të ulëta u ndëshkuan për abuzime. Disa zyrtarë të qeverisë që ishin të implikuar qartësisht në raste abuzimesh u lëvizën dhe iu dhanë poste të tjera në qeverisje pa ndonjë ndëshkim.

Som

Korrupsioni i kudogjendur në të gjitha degët e qeverisjes, e sidomos në sistemin e drejtësisë, mbeti një problem serioz

Për KQZ

Institucione shtetërore thellësisht partiake, përfshirë KQZ, minuan të drejtat e qytetarëve për të sfiduar drejtpërdrejt ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverisjen e tyre

Për PD

Konsolidimi i vazhdueshëm i pushtetit në duart e partisë në pushtet gërreu më tej besimin publik në pavarësinë e institucioneve të vendit

Lëvizjet

Sequi diskuton me kryetarin e LSI-së. Arvizu takon Holtkemper

KiE: Situata në KQZ, shqetësuese. Ambasadorët vijojnë negociatat

Edhe ditën e djeshme janë zhvilluar negociata të etshme midis ndërkombëtarëve dhe aktorëve politikë shqiptarë në lidhje me ngërçin më të fundit në KQZ. Edhe pse nuk ka një tërheqje nga Partia Demokratike, ambasadorët e Perëndimit kanë zhvilluar takime të rëndësishme me palët. Ditën e djeshme, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka pasur diskutime në Rogner me ambasadorin e BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, ndërsa ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, është takuar publikisht me ambasadoren gjermane, Karola Muller Holtkemper, në kohën kur po zhvilloheshin konsultimet

KiE

Raportuesit e Këshillit të Europës, Jonathan Evans dhe Grigore Petrenco, të cilët ishin në Tiranë këto ditë, janë shprehur të shqetësuar me situatën e krijuar në KQZ. Ata thanë se partitë politike duhet ta zgjidhin situatën e krijuar. Vizita jonë ka përkuar me situatën e krijuar në KQZ. Duhet të jetë një institucion i pavarur dhe i paanshëm, pasi ka rol edhe në zhvillimin e zgjedhjeve të tilla. Partitë i nxisim të zgjidhin çrregullimin në funksionimin e KQZ. Nuk na takon ne të merremi me rrethanat që kanë çuar në këtë problem. Partitë presin nga ne rolin e arbitrit, por ne shohim situatën, e cila nuk është e kënaqshme, është shqetësuese. I takon politikës shqiptare të bëjë zgjidhjet e duhura, tha Jonathan Evans gjatë një konference shtypi. Sipas tij, zgjedhjet e 23 qershorit do të jenë vendimtare për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së. Këto zgjedhje janë vendimtare për vazhdimin e monitorimit, por edhe për statusin e Shqipërisë në BE. Këtë ua kemi bërë të ditur të gjithë politikanëve që kemi takuar, tha Evans. Ai theksoi më tej se i është kërkuar nga politikanë të caktuar që KiE-së të jetë në rolin e arbitrit për të zgjidhur krizën ku është futur KQZ-ja, por kjo është e pamundur, shpjegoi ai, pasi roli i tyre është thjesht raportues. Reporteri i KiE-së deklaroi se do të ishte i pakonceptueshëm avancimi me kërkesën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat, ndërkohë që vazhdohet me procedurën monitoruese të Këshillit të Europës. Homologu i tij, Grigore Petrenco, tha se jemi të zhgënjyer që nuk është bërë progres për ato reforma që duhet të miratoheshin në Parlament. Ne presim gjithashtu progres në të ardhmen në lidhje me kërkesat e vetë Këshillit të Europës për luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e pavarësisë së gjyqësorit. Na janë shprehur gjithashtu shqetësime në lidhje me nevojën për vendosjen e pavarësisë së Autoritetit Rregullator të Medias dhe për mbrojtjen e këtij organi nga ndërhyrjet politike, tha Petrenco. Gjetjet e dy raporterëve do ti paraqiten në ditët në vijim, Komitetin Monitorues të Këshillit në Strasburg.

Reporterët

Dy anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës kanë përfunduar vizitën në Tiranë. Tani pritet publikimi i raportit

1

Sequi

Ambasadori i BE-së në Tiranë ka biseduar me kreun e LSI-së, Ilir Meta, në lidhje me zhvillimet e fundit

2

Arvizu

Ambasadori i SHBA-së në Tiranë, Aleksandër Arvizu, është takuar në të njëjtin ambient me ambasadoren e Gjermanisë, Karola Muller Holtkemper

SHBA: KQZ-ja minoi të drejtat e qytetarëve. PD përqendroi pushtetet burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›