Berisha: Nëse Rama rrit çmimin e energjisë do organizojë revoltën më të madhe që ka parë ky vend

Paralajmërimet e rritjes së çmimit dhe kufizimet e energjisë nga kryeministri Edi Rama disa ditë më parë ka sjellë reagimin e ashpër të kreut të PD i zgjedhur nga Rithemelimi, Sali Berisha.
Berisha tha se nëse Rama guxon të rrisë çmimin e energjisë për qytetarët do të organizojë revoltën më të madhe në vend.
“Nëse guxon të rritë çmimin e energjisë për konsumatorin, do përballet me revoltë. Ftoj qytetarët të përgatitemi me të gjitha mundësitë tona ndaj këtij njeriu që është i aftë të bëjë gjithçka kundër jush vetëm për të pasuruar veten, familjarët e tij, rrethin e tij të nomenklaturës së PS-së. Edi Rama mos luaj me çmimin e energjisë, përndryshe PD, Fronti për Shpëtimin e Shqipërisë do organizojë një nga revoltat më të fuqishme që ka parë ky vend. Po tejkalohet çdo lloj limiti. Nuk mund të vazhdohet kështu në këtë vend”, tha Berisha gjatë një konferencë për gazetarët.
I pyetur nëse do të bashkëpunojë me Ilir Metën tani që drejton Partinë e Lirisë, Berisha tha se bashkëpunimi opozita me të do të jetë i fuqishëm.
“Me zotin Meta jemi në komunikim të vazhdueshëm. Është e sigurt që do të ketë një bashkërendim të fuqishëm në aktivitetin opozitar me Partinë e Lirisë”, u shpreh Berisha.
/rtsh.al/