E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nëse skemi para do të shes Ridvan Boden

Kryeministri Berisha ka deklaruar nga Librazhdi se nëse nuk do t’i dalin paratë për të realizuar investime do të nxjerrë në treg ministrin e Financave

ELBASAN- Afrimi i fushatës zgjedhore ka angazhuar qeverinë së bashku me mekanizmat e saja që në muajt e mbetur deri në qershor të kryejë një sërë investimesh, kryesisht në infrastrukturën zgjedhore.

Por duket se suksesi në realizimin e një pjese të tyre është vënë në rrezik për shkak të mungesës së parave. Dyshimi për mungesën e fondeve është hedhur nga vetë kryeministri Sali Berisha, i cili nga Librazhdi ku dhe ka vijuar turin e tij “Shqipëria po ndryshon”, ka lënë të kuptohet se mungojnë paratë për një sërë projektesh. Megjithëse me sensin e humorit ai ka paralajmëruar Ministrin e Financave Ridvan Bode se në rast se nuk janë bërë llogaritë siç duhet me fondet për investimet e programuara, atëherë do të mbajë përgjegjësinë përpara qytetarëve. “Ne do të ndërtojmë çdo segment të rrugëve nacionale. Bashkitë le të merren me rrugët e brendshme, ndërsa qeveria do të investojë duke lidhur çdo cep të Shqipërisë me rrugë të asfaltuara dhe cilësore. Nëse nuk do të kemi fonde, atëherë do të nxjerrim në treg ministrin e Financave Ridvan Bode”, - u shpreh Berisha me shaka, por duke vënë në siklet dhe vetë Ministrin e Financave, Bode, i cili e shoqëronte gjatë kësaj vizite nëpër Librazhd. Ndërkohë në kuadrin e turit “Shqipëria po ndryshon”, Kryeministri përuroi dy shkolla në zonën e Librazhdit dhe të Përrenjasit, si dhe mori pjesë në përurimin e punimeve të Lotit të Parë për rrugën Librazhd-Stëblevë. I shoqëruar nga ministri i Financave, Ridvan Bode dhe ai i Transportit Sokol Olldashi, Berisha preu shiritin e punimeve të shkollës nëntëvjeçare në fshatin Polis. Ndërkohë gjatë fjalës së rastit kreu i qeverisë vlerësoj se investimet në infrastrukturën arsimore janë pjesë e reformimit të të gjithë sistemit arsimor në vend, i cili sipas tij do të vijojë edhe në vitin 2009 me rritjen vetëm një muaj para zgjedhjeve të pagave të mësuesve. “Ne i kemi dhënë përparësi absolute arsimit pasi ne përparësinë më të madhe ia japim fëmijëve. Ne do të bëjmë që mësuesit e fëmijëve tanë të marrin shpërblimin që meritojnë. Në tre vjet kemi rritur rrogat 75 % dhe vitin e ardhshëm do të rrisim pagat e tyre duke bërë një rritje 100%. Ne kemi ndërtuar mbi 100 shkolla të rejadhe kemi rikonstruktuar rreth 460 të tjera”, - u shpreh Berisha. Më pas Berisha është ndalur në fshatin Hotolisht ku edhe ka inauguruar ambientet e rikonstruktuara të shkollës së mesme “Rrahman Çota”, rikonstruksioni i së cilës është bërë me fondet e qeverisë italiane. Në ndalesën e radhës kryeministri ka prerë shiritin për përfundimin e punimeve në segmentin e parë të rrugës nacionale Librazhd-Stëblevë me një gjatësi rreth 20 km. Loti i parë me fondet e buxhetit të shtetit kushtoi 77 milionë lekë të reja. Sipas kryeministrit së shpejti do të fillojnë punimet në segmentin e dytë për të vazhduar këtë segment deri në Kukës e më tej.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›