Berisha: Nesër në mbledhjen e qeverisë miratohet marrëveshja historike për TAP
Kryeministri Sali Berisha njoftoi sot nga faqja e tij zyrtare në Facebook se, në mbledhjen e qeverisë ditën e nesërme, do të miratohet teksti i marrëveshjes midis Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për gazsjellësin Trans Adriatik (TAP). “Nesër në mbledhjen e qeverisë, marrëveshja historike për TAP!”- shkruan kryeministri. Për kreun e qeverisë, ky është projekti më i madh në historinë e zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit tonë. Investimi direkt i TAP në territorin shqiptar, është 2 miliardë dollarë me rreth 20 mijë të punësuar. “Në mbledhjen e qeverisë, nesër, miratohet teksti i marrëveshjes midis tre vendeve Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë për gazsjellësin Trans Adriatik, TAP. Ky është projekti më i madh në historinë e zhvillimit dhe të bashkëpunimit ndërkombëtar të vendit tonë. TAP sjell gazin nga deti Kaspik, Azerbajxhan, kalon në rreth 200 km në territorin tonë dhe përfundon në Itali. Investimi në territorin tonë për ndërtimin e tij është rreth 2 miliardë dollarë dhe krijohen, direkt dhe indirekt, rreth 20 mijë vende të reja pune”- u shpreh Berisha.
Ai tha se, ky projekt shndërrohet në një faktor madhor bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha vendeve nëpër, të cilat ai kalon. “Ky projekt shndërrohet në një faktor madhor bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha vendeve nëpër të cilat ai kalon. Ai bën të mundur gazifikimin e plotë të vendit, çka nënkupton për familjet shqiptare ngrohje dhe gatim me çmim shumë më të arsyeshëm se sa sot. Shqipëria me ndërtimin e TAP-it merr një rëndësi nevralgjike për energjinë në rajon”- theksoi kryeministri.