E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: Të punohet për marrjen e statusit para zgjedhjeve

05-02-2013 / Gazeta 55

Kreu i LSI-së apelon për votimin e 3 ligjeve të Komisionit Europian

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i bëri thirrje klasës politike për të votuar tre ligjet e integrimit që presin prej kohësh në Kuvend. Njëkohësisht, veç këtij apeli, Meta, gjatë bashkëbisedimit me gazetarë, kërkoi dhe respektim të kodit dhe ligjit nga palët, në mënyrë që të shmangin tensionet e panevojshme edhe në KQZ, përmes përfaqësuesve të tyre. “Detyra e parë do jetë zbatimi i ligjit dhe kodit dhe përpjekjes për të arritur vendime konsensuale nga KQZ. Ftoj të gjitha forcat politike për të respektuar ligjin dhe rritur frymën e bashkëpunimit. Nuk mund të rri pa përmendur rëndësinë e madhe të marrjes së statusit para 23 qershorit, mesazhi i Fyles ishte i qartë, se statusi mund të merret para zgjedhjeve. Duhet të tregojmë përgjegjësinë tonë”- tha Meta.
Gjithashtu, Meta bëri me dije se LSI nuk do të bëhet pjesë e asnjë konflikti politik për qeverisjen e ardhshme, ndërkohë që vendimi për aleancën parazgjedhore, sipas tij, e vendos Konventa Kombëtare në prill.
“Nuk është më e rëndësishme, se cilat do jetë taktikat tona elektorale. Në çdo rast, LSI do ketë programin e saj dhe në çdo rast LSI do dalë me flamurin dhe simbolet e saj, pasi kodi është i tillë që votohet për subjektin politik dhe jo për koalicionin e caktuar. Vlerësojmë angazhimin e çdo force politike në zgjedhje, nuk është me shumë rëndësi taktika elektorale. LSI do të luajë gjithmonë rol konstruktiv, nuk do bëhet pjesë e asnjë lloj konflikti, si dhe do të sjellë energji pozitive. Koalicionet janë çështje forumesh, vendimi do merret në kohën e duhur”, deklaroi Meta.

Bashkëbisedimi i Metës me gazetarët

Z. Meta a keni krijuar ju një profil të koalicionit që do të keni për zgjedhjet e ardhshme?

Për çështjen e koalicionit të ardhshëm  do të jetë vetëm Konventa Kombëtare e LSI-së që do të vendosë. Kjo temë natyrisht nuk do të diskutohet në mënyrë të papritur përkundrazi por do të duhet të presim fillimin e prillit për të diskutuar këtë çështje dhe natyrisht mesin e muajit prill për të marrë një vendim përfundimtar përpara datës së regjistrimit të koalicioneve dhe partive që mos gaboj është 23 prilli. Ne besojmë se nuk është më e rëndësishme se cilat do të jenë taktikat tona elektorale edhe në funksion të kodit. Në çdo rast LSI do të ketë programin e saj  dhe në çdo rast Lëvizja Socialiste për Integrim do të dalë me flamurin e saj, me simbolet e saj. Dhe në fund të fundit kodi është i tillë që votohet për subjektin politik, pra nuk është se votohet për koalicionin e caktuar. Ndaj edhe ne kemi nisur përgatitjet në funksion të fuqizimit të LSI-së, i cili është një fakt që besoj se e prekni çdo ditë edhe përmes aktiviteteve që pasqyroni.

Si e gjykoni mundësinë e krijimit të një poli të tretë?

Ne e vlerësojmë angazhimin e çdo force politike në zgjedhje, angazhimin e çdo lloj alternative. Për ne, e thashë edhe më parë, që nuk është shumë e rëndësishme taktika elektorale. E rëndësishme është arritja e objektivave tona për zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërsa përsa i takon rolit të LSI-së, ai do të jetë gjithmonë konstruktiv. Pra, LSI nuk do të hyjë dhe nuk do të bëhet pjesë e asnjë konflikti për konflikt dhe natyrisht do të jetë aktive në të gjitha debatet për programet, për qeverisjen aktuale dhe qeverisjen e ardhshme në mënyrë tepër aktive. Por e theksoj gjithmonë do të sjellë energji pozitive. Shqiptarët janë të lodhur nga mesazhet destruktive, nga akuzat e pafundme dhe nga mosmarrja e përgjegjësive nga politikanët.

Z. Meta jemi informuar se Ju keni zhvilluar një takim me komisionerin Fyle, A keni marrë ndonjë garanci për statusin e vendit kandidat nga z. Fyle?

Nuk ka qenë takim. Ka qenë një bisedë telefonike me komisionerin, ku kam shprehur angazhimin e LSI-së për çdo gjë që LSI ka mundësi të bëjë për një klimë sa më konstruktive për të ecur drejt marrjes së statusit sa më shpejt të jetë e mundur.

Duke u ndalur sërish tek krijimi i një poli të tretë, a është i mundur ai dhe specifikisht me z. Dule, duke pasur parasysh edhe pozicionin e tij së fundmi?

Dua të jem shumë i qartë me ju. Çështja e koalicioneve është çështje e forumeve të LSI-së dhe është çështje e forumit më të lartë. Unë kam raporte dhe takime me përfaqësues të ndryshëm të të gjitha forcave politike dhe përfaqësues të tjerë të LSI-së. Kjo është më se normale. Por, vendimi do të merret në kohën e duhur dhe vendimi do të shoqërohet edhe nga një debat brenda strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Z. Meta, së fundmi është publikuar një sondazh ku LSI-ja nuk paraqitet në nivelin e duhur. Si e komentoni këtë sondazh? A mendoni se këto sondazhe do të ndikojnë në bërjen e koalicioneve më pas?

Absolutisht që jo, Lëvizja Socialiste për Integrim ka një kontroll shumë të qartë dhe rigoroz të situatës në terren për shkak të një organizimi model të saj dhe në këtë drejtim, të gjithë janë të lirë të shpallin dhe të sajojnë sondazhe. Mua më vjen keq për ata që i sponsorizojnë sondazhe të tilla qesharake, sepse sondazhet që kanë pasur më përpara, para 2009 dhe para 8 majit të 2011 i kanë pasur shumë më të mira për veten e tyre. Më vjen keq që i kanë ulur.

Sa i përket objektivave të LSI-së për 23 qershorin, duke marrë parasysh këtu rezultatet e 2009, dhe të 2011, sa deputetë projektoni ju që mund të marrë LSI në këto zgjedhje?

Është herët për të folur për numrin e deputetëve, por disa herë më shumë sa aktualisht sepse LSI në radhë të parë ndryshe nga dy zgjedhjet e mëparshme, në 2005 dhe 2009 është pjesë e gjithë administrimit të procesit zgjedhor. Kështu që, votat për LSI-në janë vota të sigurta. Natyrisht përfaqësuesit tanë në radhë të parë kanë për detyrë të zbatojnë ligjin dhe të kontribuojnë për standarde europiane për zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërsa për sa i takon çështjes së numrave të mandateve nuk mund të jap ndonjë shifër paraprake, por dua t’ju siguroj që ne një grup parlamentar do ta bëjmë vetëm me deputetët që do të fitojmë në dy qarqet kryesore. Këtë mund t’ua them me siguri. Për të tjerat do të flasim në muajt e ardhshëm.     

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›