E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nisim analizën për zgjedhjet, më 9 nëntor dëshmuam vullnet për hapje

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit opozita dëshmoi vullnet për hapje ndërsa njoftoi se do të nisë menjëherë analiza e zgjedhjeve dhe turi i tij në bazën e partisë.

Në një komunikim me mediet, Berisha falënderoi të gjithë ata që kandiduan si të pavarur.

“Në vlerësimin tim, nuk ishte asnjë gabim. Opozita dëshmoi dhe duhet të dëshmojë vullnet për hapje. Edhe njëherë i falënderoj shumë të gjithë ata që kandiduan si të pavarur”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, “ky proces faktoi se në asnjë variant Edi Rama nuk bën zgjedhje”.

“Populli e braktisi Edi Ramën. Një braktisje ekzemplare dhe kjo tregon se, ne si opozitë duhet të kapitalizojmë zemërimin dhe revoltën që ekziston në zemrat e shqiptarëve dhe ta kthejmë në një energji të fuqishme të përmbysjes së këtij regjimi të paligjshëm në Shqipëri”, shtoi ai.

Në komunikimin online me qytetarët, Berisha u ndal edhe tek deklaratat e Kryeministrit Edi Rama i cili e cilësoi të keqen më të madhe të vendit.

“Më ka nderuar me këtë sepse Rama dhe altoparlantët e tij shqiptarë dhe ndërkombëtarë më konsiderojnë mua të tillë, vetëm për një fakt, se unë mbroj interesat e qytetarëve”, tha Berisha.

“Ndaj Sali Berishës ka pakënaqësi të madhe sepse unë para shqiptarëve dhe botës mbroj me dokumente dhe fakte tezën se Shqipëria është një narkoshtet”, shtoi kreu i PD.

Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit opozita mbështeti kryesisht kandidatë të pavarur, ndërkohë që Partia Socialiste fitoi të pesta bashkitë ku u zhvilluan zgjedhje.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›