E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nisim betejën pa kthim deri në fitoren tonë

TIRANË, 18 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha në fjalën e tij në ceremoninë e 35-vjetorit të themelimit Partisë Demokratike, Dega Kavajë, u bëri thirrje qytetarëve të Kavajës dhe të gjithë Shqipërisë për angazhim aktiv politik.

“Ftoj qytetarët e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë të nisim betejën tonë pa kthim, deri në fitoren tonë. Qytetarë dhe qytetarë të Kavajës, historia u thërret përsëri. Historia u thërret ju, thërret të gjithë shqiptarët që i thonë lirisë liri. Të ngrihemi për të përmbysur diktaturën e dytë”, tha Berisha.

“Duke ju uruar gëzuar këtë festë, duke u përulur me nderimin më të madh para veprës së themeluesve të Partisë Demokratike, para veprës së grupeve antikomuniste, para qytetarëve dhe qytetareve të Kavajës, ftoj qytetarët e Kavajës dhe të mbarë Shqipërisë të nisim betejën tonë pa kthim, deri në fitoren tonë, fitoren e Partisë Demokratike, fitoren e Shqipërisë”, theksoi Berisha.

Kreu i PD, i dha sot nga Kavaja ultimatum Kryeministrit Edi Rama që të mos pengojë drejtësinë dhe të largohet nga pushteti.

“Mos guxo të mbrosh me vota të rrëmbyera hajdutët e qeverisë, sepse ne që në vitet ’90 u ngritëm me një motiv të shenjtë për të mbrojtur lirinë, përsëri jemi në këmbë, përsëri jemi të gatshëm me motivin: “Ja të vdesim, ja të rrojmë për liri!”. Ndaj dhe nga Kavaja i them këtij njeriu: mos pengo drejtësinë, largohu nga pushteti!”.

Sipas Berishës, qeveria ka kufizuar hapësirat e debatit parlamentar dhe ka përdorur mekanizma për të dobësuar opozitën.

“Është përqendruar çdo pushtet në një dorë dhe janë mbyllur hapësirat e pluralizmit”, u shpreh ai, duke shtuar se drejtësia po pengohet nga ndërhyrjet politike.

Kreu i PD theksoi se e kishte zgjedhur Kavajën për këtë mesazh, për shkak të rolit historik të qytetit në lëvizjen demokratike dhe antikomuniste.

Ai rikujtoi ngjarjet e shkurtit 1991, duke vlerësuar kontributin e qytetarëve të Kavajës në përmbysjen e diktaturës komuniste dhe në themelimin e pluralizmit politik në Shqipëri.

Në fjalën e tij, Berisha ngriti shqetësime për emigracionin e lartë dhe korrupsionin, duke deklaruar se gjatë dekadës së fundit Shqipëria ka përjetuar largim masiv të qytetarëve dhe probleme serioze me keqqeverisjen.

Ai kërkoi përgjegjësi politike dhe institucionale për këto zhvillime.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›