E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nuk do ta pranojmë kurrë ligjin që shkatërron familjen shqiptare

TIRANË, 17 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kritikoi sot parlamentin për miratimin e ligjit “Për barazinë gjinore”, të cilin e cilësoi si kërcënim ndaj familjes dhe traditës shqiptare

Berisha deklaroi sot në protestën para Kryeministrisë, se atë ligj shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë.

Berisha u shpreh se ky ligj është kërcënim ndaj unitetit kombëtar.

“Ai ligj është shpërbërja e familjes. Po u shpërbë familja, Shqipëria shpërbëhet, kombi shpërbëhet, zhduket, siç janë zhdukur kombet në histori. Ndaj dhe ne sot këtu jemi të betuar se atë ligj nuk do ta pranojmë kurrë.”

Ai vuri në pah rëndësinë e familjes shqiptare si institucion themelor.

“Familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i çdo shqiptari. Familja shqiptare do mbetet institucioni më i shenjtë i kombit shqiptar dhe Shqipërisë. Kjo familje, këtë komb e ka sjellë gjer ditën e sotme nga lashtësia”, tha Berisha, duke shtuar se, “kjo familje do mbrohet me çdo çmim. Do mbrohet me çdo çmim. Do mbrohet me çdo çmim”.

Gjithashtu Berisha e cilësoi foltoren e protestës së sotme si “platforma e një bashkimi më të madh se kurrë rreth vlerave më të shenjta, votës së lirë dhe familjes”.

Ai falënderoi pjesëmarrësit për përkushtimin e tyre gjatë katër viteve të fundit.

“Edhe një herë, nderimin më të madh për ju, burra dhe gra që keni katër vite të angazhuar në çdo betejë, të angazhuar në beteja ndër më të vështirat, por që i fituat, triumfuat mbi çdo të keqe, mbi çdo forcë, mbi çdo armik të pluralizmit politik në Shqipëri dhe qëndroni sot si dëshmitarë, si misionarë të vendosur për të rikthyer në Shqipëri votën e lirë”, u shpreh ai.

Ai bëri thirrje për bashkim të shqiptarëve rreth kësaj kauze.

“Të gjithë ju dhe ata të cilët nuk janë sot me ne për një arsye apo një tjetër, sepse nuk kanë pasur mundësi të vijnë, e keni për detyrë të ulemi me çdo shqiptar. Platforma parlamentaro-qytetare është platformë e qytetarëve shqiptarë, demokratë, pa parti, por edhe e socialistëve që e duan familjen, që e duan Shqipërinë, që e duan vendin”, tha Berisha.

Berisha theksoi se, “kjo platformë është platforma e një bashkimi më të madh se kurrë të shqiptarëve rreth vlerave më të shenjta të tyre, rreth votës së lirë, rreth familjes”.

/gj.m/r.e/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›