Berisha: Nuk ka paqe sociale pa i dhënë përgjigje problemit të të përndjekurve politikë

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ftoi sot të përndjekurit politikë të hartojnë programin e tyre me zotimin se PD do e zbatojë atë nëse fiton zgjedhjet në 11 maj.
Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se nuk mund të ketë paqe sociale pa i dhënë përgjigjen e merituar problemit të të përndjekurve politikë.
“Shtresa e të përndjekurve politikë ka luajtur një rol thelbësor në këtë forcë politike nga ditët e para të themelimit dhe deri sot. Problematikat e jashtëzakonshme të trashëguara nga diktatura, me gjithë përpjekjet e përbashkëta, ende nuk kanë marrë përgjigjen e merituar. Marrëveshja e vitit 2006, që ne patëm me të përndjekurit politikë, marrëveshje e pranuar pikë për pikë siç u paraqit, në disa aspekte është tejkaluar dhe kërkohet të bëhet edhe një rishqyrtim i të gjithë detyrimeve që shoqëria ka ndaj tyre”, tha Berisha.
Berisha siguroi se programi i PD-së për të përndjekurit, të internuarit, të burgosurit, të pushkatuarit, do të ridimensionohet plotësisht.
“Detyrimet e shoqërisë shqiptare ndaj kësaj shtrese do të njihen, siç janë njohur në masë të caktuar, dhe do të plotësohen. Ju do përgatisni një program të ri, unë kam besim të plotë se ju do keni vlerësimet më objektive në parashtrimet tuaja dhe PD do ta ketë atë pjesë të programit qeverisës”, tha ai.
Berisha theksoi se “duhet të bëjmë të pamundurën në mënyrë që me 11 maj të ndajmë Shqipërinë nga kjo e keqe e madhe që e ka ngërthyer”.
“Një program i ri, për qeverinë e ardhshme të PD, duhet të jetë sa më shpejt gati që ta shpallim, ta njohin të gjithë anëtarët e kësaj shtrese, por ta njohë edhe shoqëria.
Të njëjtën gjë do bëjmë me pronarët”, siguroi Berisha.
/a.f/