Regjistrimi i emigrantëve, Berisha: Të pranohen dokumentet biometrike të BE-së

TIRANË, 18 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha foli sot për regjistrimin e diasporës në zgjedhjet e 11 majit, ndërsa e konsideroi absurde hezitimin e Partisë Socialiste për të pranuar dokumentet biometrike të vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Në një konferencë për mediet, Berisha u shpreh se “tani është koha e biometrisë, dhe këto dokumente nuk mund të vihen në diskutim në mënyrë absolute nga autoritetet shqiptare”
“Ato kanë certifikim ndërkombëtar. Se në qoftë se ecim me këtë logjikë, se do votojnë vetëm ata që disponojnë biometri shqiptare, kështu mund të përjashtosh dy të tretat e emigracionit dhe diasporës nga votimi. Por negociatat po vazhdojnë”, tha Berisha.
Ndërkohë, sipas tij, kërkohet shtimi i operatorëve që trajtojnë të dhënat e të regjistruarve.
“KQZ është zotuar që ky shtim do të ndodhë menjëherë, por KQZ komandohet, në një mënyrë ose në një tjetër nga PS, e cila bën gjithçka për ta vonuar këtë proces. Shtimi i operatorëve në procedimin e të dhënave është një nga problemet serioze”, shtoi ai.
I pyetur mbi primaret në PD, Berisha tha se ka një statut dhe do ta zbatojë atë.
Ai siguroi se shumë shpejt do hapet gara. “Ka një statut PD që është mbi mua. Ai statut miratuar me unanimitet. Nuk jam unë statuti, unë jam njeriu që zbatoj statutin. Mendimet e ndryshme janë të pranueshme, por statuti do të zbatohet. Siç e shihni ka një përqendrim shumë të madh për votën e diasporës dhe faktikisht ne e kemi decentralizuar. Pra janë shumë drejtues tonë, lokalë dhe qendror që ndodhen sa në Shqipëri dhe në vende të tjera në kontakt që të mund të realizojmë regjistrimin sa më të madh të votuesve tanë jashtë vendit. Shumë shpejt do të hapet dhe gara për deputetë dhe për gjithë procesin”, shtoi ai.
/m.m/a.f/