Berisha: Nuk kam fyer asnjë ambasador, kërkoj sërish direktivën e BE për ligjin e barazisë gjinore

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se nuk e ka fyer ambasadorin e BE në Shqipëri, Silvio Gonzato, por ka shprehur vetëm qëndrimet e tij lidhur me ligjin për barazinë gjinore.
Sakaq, Berisha i kërkoi sërish ambasadorit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, që të sqarojë se cila direktivë europiane mbështet terminologjinë e “përkatësisë së shumëfishtë gjinore”, duke theksuar se, sipas tij, “asnjë dokument i BE-së nuk përmban një koncept të tillë dhe të gjitha bazohen në binaritetin “burrë dhe grua”.
Kreu i PD-së theksoi se është kundër çdo forme diskriminimi apo pabarazie, por kundërshton çdo përpjekje për të ndryshuar konceptin antropologjik dhe kushtetues të gjinisë në Shqipëri. Ai shtoi “se çdo interpretim ndryshe është përgjegjësi e atyre që e bëjnë”.
Replika e plotë e Berishës në Kuvend:
T’i përgjigjesh një shpifësi të denatyruar moralisht dhe në integritetin e tij njerëzor, nuk ia vlen të humbasësh kohë.
Por ajo që dua të them edhe njëherë, nuk kam bërë asnjë fyerje ndaj asnjë ambasadori, por kam shprehur mendimet e mia këtu, siç do t’i shpreh haptas në çdo rast.
Kam kërkuar nga ky parlament, dhe jashtë këtij parlamenti, nga ambasadori Gonzato, të na tregojë se cilën direktivë, se ai ka mbështetur këtë ligj dhe zonja Marta Kos deklaron se ai ka mbajtur qëndrimin e BE. Plotësisht dakord.
Por përsëri, cila direktivë e BE- BE funksionon me direktiva- cila direktivë e BE përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore.
Ta shoh, ta di, sepse ekspertë të shquar që unë njoh, më kanë konfirmuar se asnjëra nga direktivat e BE nuk kanë këtë terminologji, por janë që të gjitha në binaritet,flasin për burrin dhe gruan.
Kjo është e tëra. Çdo lloj interpretimi sui generis është problemi i atij që e bën. Por unë përsëri dhe përsëri deklaroj këtu se jam kundër çdo forme diskriminimi dhe pabarazie, por jam në mënyrë kategorike kundër çdo përpjekje për të riformatuar antropologjinë njerëzore, binaritetin e gjinisë, Kushtetutën e Shqipërisë, kodet e vendit, të cilat sanksionojnë këtë binaritet si themel juridik të rendit kushtetues të Shqipërisë.
Komisionerja për Zgjerimin Marta Kos, dënoi komentet e kreut të Partisë Demokratike ndaj ambasadorit të BE në Shqipëri Silvio Gonzato, lidhur me projektligjin për barazinë gjinore. Fill pas saj erdhi dhe reagimi i kryeministrit Edi Rama duke shprehur keqardhje për mënyrën se si, sipas tij, një ligj i rëndësishëm është keqpërdorur për qëllime politike.
Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka kërkuar përjashtimin për 30 ditë nga Kuvendi të deputetit, Sali Berisha.
/rtsh.al/