E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokurimet publike, Zguro: Kemi marrë mbi 1 mijë e 500 ankesa, 536 milionë lekë të kursyera për buxhetin e shtetit

Nënkryetari i Komisionit të Prokurimit Publik (KPP), Fiorent Zguro, paraqiti sot në Kuvend raportin vjetor për vitin 2024, duke evidentuar një rritje të efikasitetit në shqyrtimin e ankesave dhe përmirësim të ndjeshëm në transparencën institucionale.

Sipas Zguros, gjatë vitit 2024 janë regjistruar gjithsej 1,501 ankesa, nga të cilat 1,144 lidhen me procedurat e prokurimit publik, ndërsa pjesa tjetër përfshin ankesa për ankande publike, mbrojtje dhe siguri, si dhe leje minerare. Nga këto, 437 ankesa (38%) kanë qenë për dokumentet e tenderit dhe 714 (62%) për fazën e vlerësimit të ofertave.

“Komisioni ka shqyrtuar 1,135 ankesa dhe ka kërkuar modifikime për 327 prej tyre. Koha mesatare e shqyrtimit është ulur në 12 ditë, duke reflektuar një përmirësim të ndjeshëm në efikasitet,” – deklaroi Zguro.

Një nga arritjet më të rëndësishme të vitit, sipas raportit, është kursimi i 536 milionë lekëve për buxhetin e shtetit, si rezultat i ndërhyrjeve të Komisionit në procedurat e prokurimit. Po ashtu, është shënuar një rënie e ankesave të shqyrtuara jashtë afatit ligjor, nga 10.1% në vitin 2022 në 9.26% në 2024.

Komisioni ka miratuar gjithashtu dy manuale ligjore për operatorët ekonomikë dhe autoritetet kontraktore, si dhe ka përmirësuar publikimin e të dhënave sipas standardeve ndërkombëtare, duke rritur ndjeshëm transparencën dhe aksesin publik.

Zguro theksoi se reforma institucionale e Komisionit është vlerësuar pozitivisht nga Komisioni Evropian dhe SIGMA, duke marrë 91 pikë nga 100 në raportin për administratën publike në Shqipëri.

“Ky vlerësim është një dëshmi e qartë e përpjekjeve tona për të ndërtuar një sistem prokurimi më të drejtë, më transparent dhe më efikas,” – përfundoi Zguro.

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›