Berisha: Nuk kam rekomanduar asnjë person për zëvendësimin tim
Akuzave se procesi për përzgjedhjen e kryetarit të ri të Partisë Demokratike po bëhet me shpejtësi për të përzgjedhur të preferuarin e Sali Berishës, i është përgjigjur kryetari në largim i PD.
Berisha thotë se ai nuk ka bërë asnjë rekomandim dhe pret që ky të jetë proces dinjitoz.
Mesazh për të gjthë drejtuesit e Partisë Demokratike, nga kryetarë seksioni deri në anëtarë të kryesisë së PD dhe për të gjithë anëtarët e PD që punojnë ose mbajnë funksione drejtuese në të gjitha nivelet e qeverisjes sonë qendrore ose vendore:
Gara për kryetarin e PD nisi sot me shpalljen e kandidaturës së parë. Ajo është e hapur për çdo anëtar dhe anëtare të PD që dëshiron të konkurrojë për lider të Partisë Demokratike. Ditën e enjte kryesia e PD do të mblidhet për vlerësimin dhe shprehjen e mbështetjes së saj për kandidatin apo kandidaturat që mendon se meritojnë të mbështeten prej saj zyrtarisht. Kjo nuk do të thotë se jashtë mbështetjes së kryesisë së PD anëtarë apo anëtare të PD mund të pengohen dhe nuk mund të konkurrojnë për kryetar të Partisë Demokratike. Dallimi i vetëm është se ata nuk do jenë kandidatura zyrtare të kryesisë së PD.
Unë dhashë dorëheqjen nga detyra e kryetarit të PD dhe nuk bëra asnjë rekomandim për person të veçantë për zëvendësimin tim. Po kështu me kryesinë e PD vendosëm që në zgjedhjen e kryetarit të ri pushteti të kalojë tërësisht tek anëtarët e PD dhe vota e tyre, duke mos bërë asnjë rekomandim për asnjë person të veçantë, por dhe duke mos penguar asnjeri të marrë pjesë në këtë garë. Prandaj në respekt të pushtetit të votës së çdo anëtari të PD kërkoj që askush të mos përdorë pushtetin partiak, publik, administrativ që ka në mbështetje apo lobim të një kandidati të veçantë. Pra, asnjë drejtues në asnjë nivel partiak apo qeverisës të mos prononcohet publikisht apo jo publikisht për shkak të postit që ka në mbështetje të një kandidati të caktuar. Në këtë proces çdonjëri prej nesh ka vetëm një votë. Por çdo drejtues në çdo nivel partiak apo në qeverisje ka të drejtë të lobojë publikisht për kandidatin e preferuar ose të bashkohet me stafin e tij vetëm pasi ai ose ajo të ketë dhënë dorëheqjen nga funksioni partiak apo publik qeverisës që mban.
Ju ftojmë të shndërrojmë këtë proces në një proces dinjitoz të PD për një fillim të ri të fuqishem të saj, thuhet në mesazhin e Berishës./ep