E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita do të vijojë betejën për mbrojtjen e votës së lirë

TIRANË, 17 shkurt /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarë dhe simpatizantë në Krujë, ku u ndal te situata politike në vend, emigracioni, funksionimi i institucioneve dhe çështje që lidhen me drejtësinë.

Gjatë fjalës së tij, Berisha deklaroi se, Shqipëria ndodhet përballë një diktature autoritare, duke theksuar se, sipas tij, pushteti është i përqendruar dhe pluralizmi politik është cenuar.

“Po të ndalemi sot të shohim pas 35 viteve, ne, na ndodhi ajo që nuk i ka ndodhur asnjërit prej vendeve ish-komuniste. Në Shqipëri është vendosur një diktaturë e dytë. Një diktaturë, jo siç ishte diktatura e parë që ndalonte me ligj dhe kushtetutë partitë politike, por një diktaturë autoritare, që pranon pluralizmin dhe e shtyp pluralizmin”, tha Berisha.

Ai akuzoi Partinë Socialiste dhe Kryeministrin Edi Rama për ngritjen e një regjimi që mbështetet në vjedhjen, mashtrimin dhe krimin.

“Me këto tre shtylla kryesore, kjo parti, po i bën Shqipërisë një zbrazje dy deri në tre herë më të madhe sesa zbrazja që i bëri pushtuesi serb duke zbatuar doktrinën e Çubrilloviçit të Kosovës”, tha Berisha.

Berisha ngriti shqetësimin për nivelin e emigracionit, duke pretenduar se në dhjetë vitet e fundit një numër i lartë qytetarësh janë larguar nga vendi, kryesisht të rinj.

Ai tha se rënia e lindshmërisë dhe largimi i popullsisë po ndikojnë negativisht në zhvillimin demografik dhe ekonomik të Shqipërisë.

Në vijim, kreu i PD-së foli edhe për funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Ai akuzoi qeverinë se po ndërmerr nisma ligjore që, sipas tij, synojnë të kufizojnë ose paralizojnë organet e drejtësisë për të mbrojtur zyrtarë të përfshirë në afera korruptive.

Duke iu referuar zgjedhjeve të kaluara, ai deklaroi se Partia Demokratike ka denoncuar parregullsi dhe se do të vijojë betejën politike për mbrojtjen e votës së lirë.

Sipas Berishës, opozita duhet të luajë rolin e saj institucional dhe të angazhohet për ndryshim politik.

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›