Berisha: Opozita ka të gjitha hapësirat për të marrë pjesë në parlament dhe për të protestuar Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha

Nga Sllovenia, i pyetur mbi deklaratat e kryesocialistit për zhvillimin e protestave, kryeministri Sali Berisha, deklaroi se Shqipëria është një vend i lirë. “Opozita ka të gjitha hapësirat për të marrë pjesë në parlament, për të marrë pjesë në komision, për të protestuar. Të gjitha këto i ka dhe do t’i ketë të garantuara në një sistem demokratik”, u shpreh kreu i mazhorancës. Më tej, ai tha se parlamenti shqiptar po tregon një frymë dhe një vullnet bashkëpunimi të paqortueshëm. “Mendoj se deklarata e djeshme e komisionerit Fule, i cili siç më deklaroi mua, i ka deklaruar edhe Edi Ramës, ka qenë deklaratë totalisht dhe tërësisht në emër të Komisionit Evropian, pra, është deklaratë e institucionit nga i cili ai erdhi dhe përbën me të vërtetë një mundësi shumë të madhe”, theksoi Berisha. Sipas tij, Kushtetuta e Shqipërisë duhet të respektohet, transparenca duhet të realizohet.