E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PD ka objektiv integrimin në BE të bazuar në meritë

TIRANË, 17 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në konferencën e sotme me gazetarët, paraqiti një tablo të situatës politike në vend, ku theksoi se vendimi i mazhorancës socialiste për të mos i hequr imunitetin Belinda Ballukut, ka sjellë dhe bllokimin e procesit të integrimit europian të vendit.

Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal tek Raporti i Vlerësimit të Përkohshëm të Standardeve (IBAR) për integrimin, ku sipas tij “Shqipëria mbeti në klasë”, duke theksuar se mosvotimi nga disa vende anëtare të Bashkimit Evropian përbën një sinjal alarmi për dështimet e qeverisë shqiptare.

Ai e cilësoi këtë zhvillim si “dramatik”, duke shtuar se vendet partnere “shtruan një seri çështjesh themelore” dhe po kërkojnë një proces integrimi të bazuar në meritë, të cilin ai e konsideroi si “interesi absolut më i mirë i qytetarëve shqiptarë”.

“Raporti IBAR mbeti në klasë pasi një seri vendesh anëtare të BE nuk e votuan, por shtruan një seri çështjesh themelore dhe unë jam këtu të falënderoj, të shpreh mirënjohje ndaj këtyre vendeve, të cilat insistojnë që procesi i integrimit të jetë një proces i bazuar në meritë”, deklaroi Berisha.

“Sepse ky proces i bazuar në meritë është interesi absolut më i mirë i qytetarëve shqiptarë. Procesi jashtë meritës është ndëshkim për qytetarët shqiptarë”, tha Berisha.

Gjatë fjalës së tij, kryetari i PD-së hodhi poshtë çdo pretendim për një “interpretim shqiptar” të imunitetit, duke e cilësuar atë “një mashtrim”. Ai theksoi se në të kaluarën “është hequr imuniteti i Ilir Metës, Fatmir Mediut, dhe dy herë i Lulzim Bashës”, duke argumentuar se standardi ka qenë gjithmonë i bazuar në kërkesat e prokurorisë dhe në interpretim kushtetues e ligjor.

Gjithashtu kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha bëri thirrje për mobilizim qytetar, duke e cilësuar 22 marsin si “ditën e kryengritjes më të fuqishme paqësore që ka njohur Shqipëria”, dhe ftoi qytetarët të dalin në protestë për të shprehur “revoltën, zemërimin dhe përçmimin” ndaj qeverisë.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›