Hotelet pritën 15,1% më shumë vizitorë në janar, dominojnë italianët dhe gjermanët

TIRANË, 17 mars/ATSH/ Strukturat akomoduese regjistruan rritje të numrit të vizitorëve gjatë muajit janar 2026, duke reflektuar ecuri pozitive të aktivitetit turistik edhe në periudhën jashtë sezonit.
Sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Statistikave, në janar numri i vizitorëve që u akomoduan në hotele dhe struktura të tjera turistike u rrit me 15,1% krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Rritja është ndikuar si nga vizitorët vendas ashtu edhe nga ata të huaj.
Vizitorët rezidentë shënuan rritje prej 16,8%, ndërsa vizitorët jorezidentë u rritën me 13,8% në bazë vjetore.
Edhe netëqëndrimet në strukturat akomoduese kanë shënuar rritje. Në total ato u rritën me 9%, ku netëqëndrimet e vizitorëve rezidentë u rritën me 16,4%, ndërsa ato të vizitorëve të huaj me 4,3% krahasuar me janarin e vitit 2025.
Sa i përket origjinës së turistëve, pjesa më e madhe e vizitorëve të huaj që u akomoduan në vendin tonë, ose 25% e totalit vijnë nga Italia, të ndjekur nga Kosova me 14% dhe Gjermania me 6%.
Ndërkohë, vizitorët nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca ishin përkatësisht 5% dhe 4% e totalit.
Të dhënat tregojnë gjithashtu një rritje të shkallës së shfrytëzimit të strukturave akomoduese. Norma e shfrytëzimit të dhomave në hotele arriti në 15,4% në janar 2026, nga 14,5% që ishte në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Shqipëria u vizitua në vitin 2025 nga 12.4 milionë të huaj. /j.p/
1 nga 2