Berisha: Paketa fiskale do të shkatërrojë qindra biznese

TIRANË, 30 tetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot se paketa fiskale e propozuar nga qeveria do të rëndojë qytetarët, bizneset e vogla, profesionet e lira dhe klasën e mesme.
Në një deklaratë për mediet nga selia blu, Berisha tha se paketa e re parashikon rritjen e taksave me rreth 200 milionë euro, duke paralajmëruar se masat e propozuara do të sjellin rritje të çmimeve dhe vështirësi për sipërmarrjet e vogla.
“Edi Rama, thuhet se në fshehtësi të plotë edhe nga ministrat e tij, paraqiti dy ditë më parë një paketë në të cilën rrit taksat në total me rreth 200 milionë euro. Me të cilën godet në mënyrë të egër bizneset e vogla, profesionet e lira, klasën e mesme me një rol përcaktues në shërbimet ndaj qytetarëve, familjet e varfra.
“Paketa rrit TVSH-në e përgjithshme me 21 për qind duke shkaktuar kështu një rritje të përgjithshme të çmimeve, duke goditur kështu aftësinë konkurruese të sipërmarrjeve shqiptare. Me paketën e tij, ai njoftoi se do të ulë TVSH-në për 50 e sa mallra të cilat përbëjnë mallrat bazë. Në pamje të parë kjo duket se bëhet për të ulur çmimet. Zero efekt. Hipokrizi totale”, tha ai.
Sa i përket taksimit të karburanteve, Berisha deklaroi se qytetarët do të vijojnë të përballen me një barrë të lartë fiskale, pavarësisht ndryshimeve të propozuara.
“Nafta, qytetarëve që nuk kanë vetura, u ndikon tek bileta e autobusëve. Kurse qytetari që përdor veturën çdo ditë dhe janë tani qindra-mijëra qytetarë, ky thotë se do ua heq tek litri i naftës dhe do t’ua marr tek makina”, tha ai.
Berisha u ndal edhe tek ndikimi i ekonomisë informale dhe i parave që që sipas tij burojnë nga aktivitetet kriminale në rritjen e çmimeve.
Kreu i PD-së tha se prodhimi vendas është në rënie dhe rritja ekonomike nuk pasqyron përmirësim të ekonomisë prodhuese.
“Ulja e TVSH në 6 %, do japë kjo ulje çmimesh? Jo, aspak. Nuk e lejon informaliteti. Nuk e lejon ulja e pragut nga 100 në 50 (nga 10 në 5 milionë lekë – shën. i red.). Por ka një gjë tjetër të tmerrshme në Shqipëri: çmimet i rrit droga. Prodhimi në Shqipëri është në rënie brutale. Pavarësisht nga kjo, Banka e Shqipërisë nxjerr me thasë tonelata lekë në treg për të blerë narkoeurot. Rritja ekonomike nuk është rritja e prodhimit. Rritja ekonomike në Shqipëri përcaktohet nga taksa që vilen dhe merren nga administrata e stërfryrë, nga taksa që merren nga qytetarët, dhe nga ndërtimi”, tha ai.
Berisha deklaroi se investimet e huaja janë në nivele të dobëta, teksa shtoi se një pjesë e flukseve të investimeve lidhen me blerjen e pasurive të paluajtshme.
“Nuk ka investime. Investimet e huaja janë në ditën më të keqe. Të gjitha ato që quhen investime janë blerje të kateve të kullave të drogës dhe ndërtimeve të drogës. Pra, paketa do të shkatërrojë qindra mijëra biznese, do të largojë nga Shqipëria me dyfishimin e dividendit, ishte 8 e bëri 15, dhe e bëri pa asnjë konsultim”, tha ai.
Berisha tha se në qeverisjen e PD nuk do ketë kurrë taksë mbi 12,5%. Ai premtoi gjithashtu kompensimin 100% të TVSH-së për produktet e shportës, përmes disbursimit të shumave përkatëse në llogaritë bankare të qytetarëve ose përmes një mekanizmi tjetër që do të përcaktohet.
/m.q/j.p/r.e/