Berisha: Parlamenti të vetëshkrihet, të hapet rruga për zgjidhjen që kërkojnë rinia

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar shkrirjen e parlamentit, duke e cilësuar si të vetmin vendim të përgjegjshëm që mund të merret në situatën aktuale politike.
Përpara hyrjes në seancën plenare në Kuvend, Berisha deklaroi se Parlamenti po zhvillon punimet nën masa të forta sigurie dhe sipas tij duhet të marrë vendimin për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të re politike.
“Parlamenti mblidhet në rrethim! I vetmi akt i përgjegjshëm i tij është të deklarojë fundin e tij, shkrirjen e tij dhe hapjen e rrugës për zgjedhjen që kërkojnë mbarë rinia dhe qytetarët shqiptarë”, u shpreh Berisha.
Kreu i PD-së tha se çdo vendim tjetër i marrë nga Kuvendi do të ishte, i pavlerë, duke përsëritur kërkesën për shpërndarjen e këtij institucioni.
“Çdo akt tjetër është fund e krye i pavlerë. Ndaj dhe ne kërkojmë sot vetëshpalljen, shkrirjen e këtij parlamenti. Ky është, them edhe njëherë, i vetmi vendim i drejtë që parlamenti mund të marrë sot”, deklaroi Berisha.
Reagimi i tij vjen në një ditë kur jashtë godinës zhvillohet një protestë e shoqëruar me tensione dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
/gj.m/j.p/