E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miraton kalendarin, debate mes mazhorancës dhe opozitës për protestën

TIRANË, 23 korrik /ATSH/ Kuvendi miratoi sot me 83 vota pro dhe 26 kundër projekt-programin dhe projekt-kalendarin e punimeve për periudhën 27-31 korrik 2026, ndërsa seanca u shoqërua me debate të forta mes mazhorancës dhe opozitës për protestën e zhvilluar jashtë godinës së Parlamentit.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, kundërshtoi miratimin e kalendarit, duke deklaruar se ai nuk mund të votohej për sa kohë nuk përfshiheshin kërkesat e protestuesve që ndodheshin jashtë Kuvendit.

Bardhi kërkoi ndalimin e menjëhershëm të asaj që e cilësoi si dhunë të policisë ndaj protestuesve dhe kritikoi masat e sigurisë të vendosura rreth godinës së Parlamentit.

“Së pari, ky Kuvend duhet t’i kërkojë Policisë së Shtetit të ndalë menjëherë dhunën ndaj qytetarëve që protestojnë jashtë”, tha Bardhi, duke shtuar se përdorimi i mjeteve që ai i cilësoi disproporcionale ndaj protestuesve nuk e nderon Policinë e Shtetit.

Duke iu drejtuar kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, Bardhi ironizoi masat e sigurisë, duke thënë se perimetri i zgjeruar ishte vendosur nga frika se protestuesit mund të dëmtonin kostumet e deputetëve me vezë.

“Pa diskutim Taulant rrezikojnë të të bëjnë pis kostumin me vezë, e di që e ke të shtrenjtë”, u shpreh Bardhi.

Ai deklaroi se frika e deputetëve nuk mund të justifikojë, sipas tij, dhunën ndaj qytetarëve dhe tha se nëse deputetët kanë frikë nga protestuesit, nuk duhet të vijnë në Kuvend.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, iu përgjigj deklaratave të Bardhit duke e cilësuar të papërshtatshëm debatin.

“Sot kishe ardhur që në 8, herë e parë në histori që ma kalove”, tha Balla duke iu drejtuar Bardhit.

Ai vijoi debatin duke thënë se opozita kërkon t’u japë zgjidhje kërkesave të protestuesve, ndërsa sipas tij duhet të drejtohet te përgjegjësit që ajo vetë i ka përmendur.

“Doni t’ia plotësoni kërkesat protestuesve. Saliu në burg, plotësoja pra, çoje Saliun në burg”, tha Balla.

Ndërsa kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se protestuesit kërkojnë fundin e këtij Parlamenti pasi, sipas tij, ai nuk përfaqëson qytetarët.

“Protestuesit kërkojnë me të drejtë fundin e parlamentit sepse përfaqësoni bandat dhe krimin dhe jo qytetarët. Duhet të dëgjohet zëri i tyre”, deklaroi Berisha.

Seanca plenare e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha 1 nga 12

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›