Berisha: Pengesa për integrimin, sot ishte parashikuar konferenca ndërqeveritare

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, shqiptarëve u fshihet fakti se sot me kalendar ishte përcaktuar konferenca ndërqeveritare, e cila nuk u mbajt.
Në fjalën e tij para grupit parlamentar, Berisha deklaroi se, procesi i integrimit europian të Shqipërisë po përballet me pengesa, duke akuzuar qeverinë për mungesë transparence lidhur me zhvillimet në Bruksel.
“Nga fillimi i muajit mars gjer sot, për procesin e integrimit të Shqipërisë janë organizuar në Bruksel një seri takimesh dhe mbledhjesh”, tha Berisha.
Ai theksoi se, “në të gjitha këto takime nuk është arritur ujdia apo konsensusi që të kalojë raporti IBAR, një raport i ndërmjetëm, jo përfundimtar”.
“Shqiptarëve nuk u thuhet se në 6 mbledhje gjer tani, të atij institucioni që vlerëson pikërisht këtë raport, kërkesat ndaj Shqipërisë kanë ardhur në rritje. Dhe nuk është votuar, nuk është rënë dakord të votohet raporti që u votua për Malin e Zi që në fillim të marsit, të dyja ishin në të njëjtën mbledhje”, tha Berisha.
Sipas tij shqiptarëve u fshihet nga qeveria dhe lobistët e saj, fakti se vendet anëtare kundërshtuese të votimit të raportit erdhën gjithnjë duke u shtuar.
“Shqiptarëve u fshihet fakti se, që përbën një zhvillim pozitiv për mua, presidenca ndryshoi raportin dhe kërkesat, pikërisht për t’u përshtatur me kërkesat që paraqitën vendet anëtare ndaj Shqipërisë”, tha Berisha.
Berisha unë u bëri thirrje vendeve anëtare të BE, Komisionit Europian dhe Presidencës, të marrin çdo masë që procesi i integrimit të jetë transparent për shqiptarët.
“Shqiptarët meritojnë transparencë dhe vetëm transparencë”, tha ai.
“Ne si opozitë qëndrojmë të palëkundur absolutisht në objektivin tonë në integrimin e Shqipërisë në BE. Por ne theksojmë edhe njëherë, dhe do insistojmë dhe zërin tonë do ta ngremë në të gjitha instancat që ky duhet të jetë një proces transparent i bazuar në meritë dhe jo në lobim korruptiv”, përfundoi Berisha.
/gj.m/a.f/