E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Çështja e ish-krerëve të UÇK-së, pjesë e komunikimit me Presidentin Trump

TIRANË, 22 prill /ATSH/ Në Greqi, ku mori pjesë në Forumin Ekonomik të Delfit (DEF XI), kryeministri Edi Rama, zhvilloi një bisedë me Alexis Papahelas, kryeredaktor i gazetës Kathimerini.

Gjatë bisedës, kreu i qeverisë foli edhe për komunikimin e tij me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në themelimin e Bordit të Paqes.

Rama bëri me dije se i shprehu presidentit Trump shqetësimin në lidhje me paraburgosjen e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në Hagë si dhe ish krerëve të tjerë të UÇK-së, për të cilën tha se nuk ka marrë ende një përgjigje nga kreu i Shtëpisë së Bardhë.

“Pata privilegjin që të isha me presidentin Donald Trump në ditën e themelimit të Bordit të Paqes dhe i thashë diçka që e kam shumë për zemër që ka të bëjë me drejtësinë ndërkombëtare dhe konkretisht me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, që është krijuar e mbështetur në një raport fantazish i sponsorizuar nga rusët nga delegacioni i Vladimit Putinit në Këshillin e Evropës, që mbështeste një mocion për të hetuar të ashtuquajturat krime të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe specifikisht trafikimin e organeve njerëzore”, vuri në dukje Rama.

“Gjykata u ngrit për ta kthyer këtë raport fantazish në një proces kundër udhëheqësve dhe morën nga zyra një president që ishte aktiv në detyrë dhe e sollën në Hagë dhe e burgosën përpara një akuze zyrtare, kryetarin e parlamentit po ashtu. Më pas i gjithë procesi u kthye në diçka krejt tjetër, pra nuk kishte ndodhur asnjë trafikim i organeve njerëzore dhe praktikisht akuzohen se kanë udhëhequr rebelimin kundër pushtuesve dhe që kanë bashkëpunuar me NATO-n. Ky është thelbi praktikisht. I thashë Trump se kjo është diçka që ai duhet të dijë dhe me shpresë tek e cila duhet të ndërhyjë. Nuk më ka informuar ende. Ai nuk më ka informuar ende. Por mendoj se ka qenë shumë i zënë”, tha Rama.

/m.q/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›