E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Për 13 vite, fondet publike janë abuzuar në mënyrë të paprecedentë

TIRANË, 17 janar /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, vijoi sot turin e “Foltores” në Laprakë, ku zhvilloi një bashkëbisedim  me qytetarë dhe simpatizantë të PD-së.

Në fjalën e tij, Berisha falënderoi mbështetësit për, angazhimin e vazhdueshëm ndaj Partisë Demokratike, duke theksuar se opozita po hyn në vitin e 13-të të përballjes me qeverinë aktuale.

“Ne hyjmë këtë janar në vitin e 13 të opozitës, në vitin e 13 të përballjes me një regjim në radhë të parë antishqiptar”, tha Berisha.

Gjatë bashkëbisedimit, Berisha kritikoi qeverisjen e kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se politikat e ndjekura gjatë këtyre viteve kanë sjellë pasoja të rënda demografike dhe ekonomike për vendin.

Sipas tij, emigrimi masiv i shqiptarëve është një nga problematikat më serioze, ndërsa theksoi se një numër i madh qytetarësh kanë lënë vendin për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale.

“Në 10 vite, përzuri nga Shqipëria me politikat që ndoqi, 1 milion e 99.000 shqiptarë vetëm në zonën e Shengenit.  Pa llogaritur qindra mijëra të tjerë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, vendet e Amerikës Latine, vendet e Lindjes së Mesme dhe kudo tjetër”, tha Berisha.

Kreu i PD-së u ndal edhe te çështja e korrupsionit, duke deklaruar se, sipas tij, gjatë këtyre 13 viteve djersa dhe mundi i shqiptarëve janë përdorur për krijimin e pasurive private nga zyrtarë dhe ish-zyrtarë të qeverisë.

Berisha e krahasoi këtë qeverisje me periudhën e diktaturës, duke nënvizuar se, niveli i abuzimit me fondet publike ka qenë i paprecedentë.

Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë për, shkatërrimin gradual të vlerave demokratike dhe të funksionimit të shoqërisë së lirë, duke përmendur edhe rolin e mediave, për të cilat u shpreh se një pjesë e tyre, sipas tij, nuk informojnë në mënyrë të paanshme opinionin publik.

“U përballët 13 vite me një regjim që në mënyrë të vendosur shkatërroi një nga një vlerat e sapo krijuara në këtë sistem demokratik”, tha Berisha.

/gj.m/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›