E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Përjashtohen deputetë pa u dëgjuar. Parlamenti s’ka paqe deri në rikthimin e të drejtave

Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar se nuk do ta njohin vendimin e Sekretariatit të Etikës për marrjen e masave disiplinore e 7 deputetëve demokratë, pas kaosit të djeshëm (30 tetor) në Kuvend. Në një deklaratë për mediat, Berisha akuzoi se vendimi për përjashtimin e deputetëve është marrë pa i dëgjuar ata.

“Pra e shihni si bëhen mbledhjet këtu, thërret deputetët dhe i përjashton pa asnjë lloj baze ligjore. Sekretariati është për ti dëgjuar dhe ajo dëgjon vetëm njërin, largohet. E kam marrë unë thotë vendimin. Se jam unë ajo që marr vendimin pa pyetur as ligj dhe as rregullore.

Mediat i kanë larguar, e kanë shndërruar këtu në një shpellë krimi. Ky nuk është më një parlament. Shikoni si merren vendimet. Po mbrohet nga 5 roje. Në vend që të dëgjojë deputetët, të dëgjojë arsyetimin e tyre, siç e kërkon edhe rregulli, e kam marrë vendimin thotë. Ky është turp”, u shpreh ai.

Ish-kryeministri paralajmëroi po ashtu se ata nuk do të lejojnë zhvillimin normal të seancave plenare në vijim, duke kërkuar “rikthimin e plotë të të drejtave kushtetuese të deputetëve”.

“Paqe nuk ka më në këtë parlament deri në rikthimin e plotë të të drejtave kushtetuese të deputetëve. Ju konstatoni vetë se si e kanë shndërruar këto parlamentin, si kurrë ndonjëherë në historinë e tij. Përjashton deputetë pa u dëgjuar”, deklaroi Berisha.

Partia Socialiste i dërgoi një kërkesë Kryeparlamentares Lindita Nikolla për marrjen e masave disiplinore ndaj 7 deputetëve të PD-së të cilët bllokuan dhe krijuan tensione në seancën plenare të djeshme.

PS ka kërkuar marrjen e masës disiplinore për Bledion Nallbatin, Albana Vokshin, Flamur Nokës, Edi Palokës, Saimir Korreshi, Lefter Gështenja,  Gazment Bardhit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›