Berisha: Platformë para Kryeministrisë për fjalimet që na mohohen në Kuvend

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se opozita do të hapë një platformë parlamentare para Kryeministrisë ku do të flasin deputetët dhe qytetarët.
Duke iu referuar situatës në Kuvend, Berisha tha se mazhoranca ka kaluar në ekstrem duke mos lënë opozitën të diskutojë dhe de facto po asgjëson parlamentarizmin.
“Në parlament nga 9 seanca të zhvilluara, me gjithë angazhimin më serioz të opozitës në çdo komision, në çdo seancë, opozita është lejuar të diskutojë vetëm në një seancë, çka do të thotë de facto asgjësim i parlamentit dhe parlamentarizmit, çka do të thotë shkelmim i Kushtetutës, rregullores së parlamentit, rendit kushtetues të vendit dhe mohim i të drejtave të opozitës”, tha Berisha.
Sipas Berishës, tani jo vetëm kryeministri, por as ministrat nuk paraqiten në interpelancë.
“Në këto kushte do t’i sugjeroj grupit parlamentar dhe partisë që opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe aty deputetët e opozitës, qytetarët, të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet, denoncimet”, tha Berisha.
Pas 9 seancash, shtoi Berisha “opozita është lejuar të debatojë vetëm një ditë në parlament”.
“Atëherë ne kalojmë në debat me qytetarët. Kjo përbën një hap të domosdoshëm për t’iu përgjigjur represionit në parlament të opozitës, të pluralizmit, shkelmimit të ligjeve, të Kushtetutës, në funksionimin e këtij institucioni”, tha ai.
Ndërkaq, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi se shumë shpejt opozita do të zhvillojë një protestë kombëtare.
Kreu i PD-së theksoi se kjo nuk do të thotë bojkot i parlamentit.
Sipas tij, opozita ka të gjithë potencialin, të gjithë trashëgiminë dhe kësaj dhune të pandërprerë, kësaj mbyllje goje të opozitës në parlament, ajo do i përgjigjet me mjete adekuate, si në komisione, ashtu edhe në sallën e parlamentit.
“Protestat kombëtare janë tejet të vonuara dhe së shpejti do komunikojnë para jush protestën e parë kombëtare dhe pastaj në vazhdim, ku ftojmë të gjithë ata qytetarë që janë të gatshëm të luftojnë për votën e lirë kundër një regjimi që e ka konfiskuar atë, e ka vjedhur atë. Kundër një regjimi që ka përdorur të gjithë potencialin ekzekutiv, shtetëror, financiar, logjistik, mediatik për të blerë, për të influencuar, për të ndikuar dhe për t’u marrë votën shqiptarëve”, u shpreh Berisha.
Sipas Berishës, përpjekja për të transformuar parlamentin në një tribunë të fjalës së qytetarëve dhe interesave të tyre, has në absurditetin, në banditizmin e paprecedent parlamentar në historinë e vendit.
/m.q/j.p/r.e/