Hima: Të dielën votoni për një Cërrik që punon

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Kandidati i pavarur për kryetar të bashkisë Cërrik, Eligert Hima, i mbështetur nga Partia Demokratike dhe Nisma Shqipëria Bëhet, ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj qytetarëve për mbështetjen gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit.
Në një videomesazh, Hima falënderoi të gjithë qytetarët që e kanë pritur dhe dëgjuar gjatë ditëve të fushatës, duke theksuar se ndjehet tashmë fitues nga mbështetja dhe dashamirësia e treguar.
“Ju falënderoj të gjithëve ju që në këtë periudhë të shkurtër fushate pata mundësinë të bisedoj, të debatoj dhe të parashtroj problemet dhe zgjidhjet e mia për qytetin. Faleminderit për çdo dorë të shtrënguar, për çdo fjalë inkurajuese dhe për të gjithë mbështetjen. Ndihem i fituar që tani, sepse në qytetin ku jam rritur, rrethohem nga njerëz që më vlerësojnë”, u shpreh Hima.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që më 9 nëntor të votojnë me përgjegjësi, jo për partitë, por për të ardhmen e fëmijëve të tyre.
“Mos votoni si partizanë të një partie apo një tjetre, por me laps në dorë për fëmijët tuaj. Nëse ata që kanë qenë në drejtim ua kanë justifikuar taksat me punë, atëherë mbështetini. Por nëse, siç kemi konstatuar bashkë, jeni të pakënaqur me infrastrukturën e rrënuar, me shkolla pa kushte dhe me mungesë investimesh e pune, atëherë ju ftoj të më votoni dhe të më provoni”, tha kandidati demokrat.
Hima e përmbylli mesazhin e tij me thirrjen: “Vota për mua është votë për një Cërrik që do të punojë”.
/e.xh/r.e/