Berisha: Po dokumentojmë farsën elektorale, më pas nisim protestat në Shqipëri dhe botë

Vijojnë akuzat nga demokratët për manipulimin e votave gjatë zgjedhjeve të 11 majit. Në një konferencë për medie, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi Kryeministrin Edi Rama se ka shtetëzuar procesin e votimit të diasporës përmes akteve korruptive.
“Dokumente të pakundërshtueshme faktojnë krimin e shëmtuar kushtetues elektoral të Edi Ramës, manipulimin e tij ekstrem, shtetëzimin e procesit të votimit të diasporës nëpërmjet akteve më madhore korruptive të njohura ndonjëherë.
Shtetëzimi dhe manipulimi i votës së shumicës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, që kësaj here me një përfaqësi prej 340 mijë vetësh zgjodhën të votojnë, është një goditje e rëndë e idealeve të lirisë së shqiptarëve, e përpjekjeve të tyre madhore për të qenë së bashku, pavarësisht se ku jetojnë, për të gëzuar të drejtat kushtetuese të vendit të origjinës.
Ky manipulim është i paprecedent në historinë e votimeve të diasporës dhe mund t’u them këtu se në dijeninë timë, diaspora shqiptare është e fundit që fitoi të drejtën e votës”, deklaroi Brrisha.
Ky i fundit bëri me dije se aktualisht PD ndodhet në fazën e dokumentimit të provave për atë që e cilësojnë si farsë elektorale, e pas kësaj faze, Berisha paralajmëron nisjen e protestave jo vetëm në Shqipëri, por edhe në botë.
“Pa asnjë mëdyshje, do nisin të gjitha format e domosdoshme të protestave në Shqipëri dhe në botë. Por, kjo është faza e dokumentimit, e verifikimit të të gjithë farsës elektorale që ka ndodhur me votën e shqiptarëve në Shqipëri dhe diasporë.
Dhe kjo vazhdon sepse siç e shihni, dy rrethe do i paraqesim këtu, janë kontrolluar në Shqipëri për ligjshmërinë e procesit dhe në tërësi konstatohen manipulime, përçudnira, fakte që tejkalojnë edhe imagjinatat njerëzore. Pra ne po bëjmë këtë verifikim”, tha Berisha.
Kryedemokrati theksoi se pa rikthimin e votës së lirë, nuk mund të ketë opozitë të vërtetë.
“Mbrojtja, lufta me të gjitha mjetet që shqiptarët të votojnë të lirë. Ka vetëm një objekt tani, shqiptarët duhet të votojnë të lirë. Opozitë të vërtetë pa rikthyer votën e lirë, vendi nuk mund të ketë. Nuk mund të jetë opozitë e vërtetë ajo e cila pajtohet me këtë situatë. Kurrë, kurrë!“, përfundoi ai.
/rtsh.al/