E Hënë, 2 Nëntor 2026

Socialistët festojnë 34-vjetorin e PS, Rama: Fitore me përgjegjësi të madhe për integrimin në BE

Partia Socialiste e Shqipërisë (PS) po feston të enjten 34-vjetorin e themelimit të saj në selinë “rozë”. Ngjarja ka mbledhur së bashku socialistë të rinj dhe të vjetër, përfshirë figura të njohura si Et’hem Ruka, Gramoz Ruçi dhe Arta Dade.

Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e 34-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste, vlerësoi fitoren e fundit të PS në zgjedhjet e 11 majit si një “fitore domethënëse”. Kjo fitore, sipas tij, ngarkon forcën politike me një përgjegjësi më të madhe se kurrë më parë.

Rama theksoi angazhimin e palëkundur të partisë ndaj përgjegjësive që vijnë me sukseset.

“Ne nuk i jemi shmangur asnjëherë përgjegjësive që sjellin fitoret – përkundrazi, nuk lodhemi së fituari sepse nuk lodhemi së reflektuari dhe ngarkuari me detyra,” deklaroi ai.

Kryeministri e cilësoi këtë fitore si një mandat të jashtëzakonshëm besimi nga qytetarët, duke e lidhur atë pazgjidhshmërisht me objektivin madhor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

Në fjalën e tij, Rama foli edhe për përbërjen e re të grupit parlamentar të PS, i cili tashmë numëron 83 deputetë. Ai vuri theksin te cilësia dhe shpërndarja gjeografike e deputetëve më shumë sesa te numrat, duke e cilësuar grupin si një “skuadër të re”. Sipas Ramës, kjo skuadër ka një ekuilibër të shëndetshëm mes përvojës dhe përfaqësimit, duke qenë e aftë të përballojë sfidat që presin vendin.

“Parlamenti do të jetë shtylla kryesore e procesit të integrimit në BE,” theksoi Rama, duke bërë të qartë se suksesi në këtë drejtim do të varet nga përmbushja e reformave të brendshme. Ky mesazh nënvizon rolin thelbësor të legjislativit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Rama batuta me senatorët e PS: Kur të mungojë Gramozi, s’do jem as unë

Kryeministri Edi Rama nuk ngurroi të shkëmbejë batuta dhe të tregojë humor gjatë festës së 34-vjetorit të Partisë Socialiste, duke iu drejtuar dy prej figurave më të njohura dhe me përvojë të partisë, senatorëve Arta Dade dhe Gramoz Ruçi.

Në një moment të fjalimit, Rama theksoi rëndësinë e pranisë së tyre, duke iu drejtuar fillimisht Arta Dades me fjalët: “Zyshe ty shyqyr që të kemi.”

Më pas, ai iu kthye Gramoz Ruçit, duke bërë një batutë që ngjalli të qeshura dhe theksoi rolin e tij të vazhdueshëm në parti.

“Edhe shokun Gramoz, që sa kohë do ta shoh këtu jam i sigurt që partia është në rrugë e duhur,” tha Rama, duke shtuar me shaka: “shqetësohuni ditën kur do mungojë Gramozi, po atëherë s’do jem as unë, kështu që shihni e bëni.”

Kjo shkëmbim batutash tregon jo vetëm një atmosferë të relaksuar brenda partisë, por edhe vlerësimin e Ramës për kontributin dhe përvojën e figurave historike të saj.

Blendi Klosi: Jemi shumë pranë integrimit në BE

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi, i cili mbajti fjalën hapëse të ceremonisë, duke theksuar rolin e PS-së dhe kontributin e saj në udhëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian.

“Mirë se keni ardhur në 34-vjetorin e PS, e cila ja ka dalë në këto 34 vite të jetë partia më e madhe në vend. T’i shërbejë Shqipërisë me patriotizëm dhe sot që jemi edhe pranë integrimit të BE. Shumë faleminderit partisë tonë të madhe, faleminderit çdo socialisti dhe faleminderit atyre që dhanë kontributin për herë të parë nga diaspora. “, u shpreh Klosi, duke falënderuar veçanërisht socialistët e diasporës për kontributin e tyre.

Historiku i Partisë Socialiste

Partia Socialiste u themelua më 12 qershor 1991. Kryetari i saj i parë ishte Fatos Nano, i cili e drejtoi partinë deri në vitin 2005. Më pas, stafeta iu la Edi Ramës, i cili është në krye të kësaj force politike tashmë prej dy dekadash.

PS mban rekordin si partia që ka qeverisur vendin më gjatë në 34 vite demokraci. Socialistët drejtuan Shqipërinë nga viti 1997 deri në 2005, për një periudhë 8-vjeçare. Ata u rikthyen në pushtet në vitin 2013 me në krye Edi Ramën dhe që atëherë kanë qeverisur vendin për 12 vite. Më 11 maj, Partia Socialiste mori mandatin e katërt qeverisës, duke fituar besimin e qytetarëve për të drejtuar vendin deri në vitin 2029. Në total, socialistët kanë qeverisur Shqipërinë për 20 nga 34 vite demokraci.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›