Berisha: Prioritet lufta kundër korrupsionit

Kryeministri Sali Berisha kërkon ulje të kriminalitetit dhe njëherësh luftë ndaj korrupsionit. Ai theksoi se lufta kundër krimit merr një rëndësi të veçantë, në një kohë që Shqipëria kërkon heqjen e vizave. "Objektivi i kësaj qeverie është, Shqipëria me indekse të kriminalitetit të mesatares së ulët të vendeve të BE-së. Kjo detyrë bëhet imperative kur ne kërkojmë heqjen e vizave. Kam bindjen e Policia po dëshmon se ajo qendron në lartësinë e kësaj detyre", pohoi ai.
I pranishëm në analizën vjetore për 2009-ën, Berisha kërkoi luftë kundër korrupsionit, duke theksuar se korrupsioni çoi në vrasjen e 4 punonjësve të policisë në Durrës, për kapjen e Dritan Dajtit. "Korrupsioni vrau 4 oficerë. Ishte inspektori i policisë ai qe i jepte mbulesë terroristit Dritan Dajti, duke u bërë më shumë kriminel se sa vetë Dajti", pohoi Berisha. Ai nënvizoi se falë policisë, më shumë zyrtarë janë vënë përpara ligjit. Kryeministri tha se ligji ndalon kambizmin në rrugë, por në fakt janë raportuar vrasje të kambistëve. "Dhe në këtë rast përgjegjësia bie mbi policinë", pohoi ai. Sipas Berishës, nuk mund të tolerohet më situata në qarkullimin rrugor, ku çdo ditë raportohen aksidente të rënda. "Pas aksidenteve fshihet qendrimi i papërshtatshëm i policisë ndaj ligjit. Ndaj kërkoj shqyrtim serioz, plan masash, sepse historia provon se numri i aksidenteve mund të ulet",argumentoi ai.
Kreu i qeverisë përgëzoi policinë për luftën në ruajtjen e rendit e sigurisë, si dhe vlerësoi punën e uniformave blu gjatë zgjedhjeve duke pohuar se u përmbushën angazhimeve.
Ndërkaq, Drejtori i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj në fjalën e tij tha se puna e forcave blu është realizuar duke pasur si faktor parësor luftën ndaj krimit të organizuar. "Puna jonë është përqendruar po ashtu edhe në rritjen e sigurisë, rritje e nivelit të punës për parandalimin e aksidenteve, dhe parandalimin e kalimit të kufirit", theksoi ai. Burgaj pohoi se gjatë 2009-ës ka pasur ulje të kriminalitetit me 4%, duke u shënuar edhe numri më i ulët i vrasjeve.Kreu i Policisë Burgaj tha se personeli i Policisë së Shtetit është më i afërt me vendet e Perëndimit, pasi tashmë në Shqipëri është 1 polic në 420 banorë, nga 1 në 370 banorë që është në vendet e BE-së. Ai shtoi se lufta kundër krimit do vijojë të mbetet prioritet për policinë edhe në 2010-ën. Kreu i Policisë së Shtetit tha se policia ka marrë vlerësim maksimal për punën e saj gjatë fushatës zgjedhore.
Ai bëri me dije se janë goditur 142 grupe kriminale. Sipas tij, problematike vijojnë të mbeten vjedhjet e pronës. Ai nënvizoi se në vitin që lamë pas është rritur me 40% sekuestrimi i drogës, ndërkohë që 419 persona që janë lidhur me trafikun e drogës janë vënë në pranga. Sa i përket luftës kundër trafiqeve të paligjshme, Burgaj tha se janë evidentuar 372 vepra penale. Ndërsa për krimin ekonomik, Burgaj tha se janë shënuar 1.646 vepra, dhe janë zbuluar 1.610 prej tyre.
Ministri Brendshëm, Lulzim Basha tha në fjalën e tij se është shënuar rënie e numrit të vrasjeve. Sipas tij, në sfidë që u përballua me sukses në vitim që lamë pas ka qenë realzimi i rolit të policisë në zgjedhje.
Ai pohoi se për 2010-ën sfidë mbetet puna e policisë rrugore në mënyrë që të parandalohen aksidentet si dhe lufta kundër krimit financiar. Basha tha se Policia e Shtetit ka një bashkëpunim të shkëlqyer me vendet fqinje dhe janë nënshkruar 12 marrëveshje. Të pranishëm në konferencë janë kreu i qeverisë Berisha dhe ministri i Brendshëm Basha.