Berisha: Prioritet, të mbrojmë biznesin nga burokracia
Kryeministri merr pjesë në dialogun e thirrur nga Dhoma Amerikane e Tregtisë
Problematikat që shoqërojnë komunitetin e biznesit gjet kësaj periudhe si dhe përmirësimi i klimës për këtë komunitet ishin pjesë e drekës së punës që organizoi Dhoma Amerikane e Tregtisë me Kryeministrin, Sali Berisha. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë shqiptare bëri një panoramë të gjerë të të gjitha masave të marra nga qeveria për t’i ardhur në ndihmë biznesit. Duke e konsideruar si energji krijuese për lirinë ekonomike, Berisha i mëshoi me forcë faktit se suksesi i biznesit është rruga e vetme për t’i shpëtuar krizës. “Rruga më e sigurtë për të mbrojtur këtë vend nga kriza është të mbështesim biznesin, të bëjmë gjithçka për suksesin e tij. Të dhënat më solide ndërkombëtare dëshmojnë që kjo ka qenë një politikë e suksesshme. Janë të dhënat e institucioneve më serioze, të cilat theksojnë se në Shqipëri investimet e huaja janë rritur me 316 për qind në 4 vitet e fundit. Shqipëria është një nga të paktat vende që ka pasur dyfishim të eksporteve të saj. Shqipëria është nga më të paktat vende në Europë që ruajti në rritje konstante ekonomike dhe nuk ra në recesion. Shqipëria, arriti të gjitha këto jo për shkak të gjetjes apo shfrytëzimit të ndonjë burimi gazi por duke u bazuar në parimin që mënyra për tu mbrojtur nga kriza është të ndihmosh biznesin”, vuri në dukje Kryeministri Berisha.
Kryeministri Berisha theksoi se qëllimi më madhor i qeverisë është liria ekonomike e tregut si një hap i rëndësishëm për zhvillimin e biznesit. Në këtë funksion, kreu i qeverisë garantoi biznesin se prioritet i kësaj mazhoranca është pikërisht mbrojtja e biznesit nga burokracia. “Është e vërtetë që autoriteti tatimor ka arbitraritetin por është e vërtetë që ka një sistem të shqyrtimit të ankesave dhe në Shqipëri dhe në çdo vend të lirë autoriteti tatimor është një institucion mes gjyqësorit dhe ekzekutivit. Në këtë kontekst unë nuk mund të them se mund të ketë mbrojtje të plotë nga arbitrariteti i autoritetit tatimor por ka një sistem të shqyrtimit të ankesave dhe ky sistem po ecën duke u përmirësuar. Autoriteti tatimor duhet të jetë i pavarur”, vlerësoi Berisha.