Venitet alibia e Ramës, BE konfirmon se zgjedhjet nuk janë kusht për integrimin
Komisionari Fyle dhe ministrja e jashtme e Qipros, vend i cili ka presidencën e radhës konfirmuan prerë se “padyshim zhvillimi i zgjedhjeve do të jetë mjaft i rëndësishëm dhe do të tregojë vullnetin e mirë të shqiptarëve për të përmbushur reformat e rëndësishme, por definitivisht ky nuk është një kusht për statusin”
Përfundimisht zgjedhjet nuk janë një kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Kjo është bërë shumë e qartë edhe në konferencën e sotme për shtyp të komisionerit Stefan Fyle dhe ministres së jashtme të Qipros Erato Kozakou Marcoullis. “Kjo nuk është pjesë e konkluzioneve dhe sigurisht nuk është pjesë e kritereve për marrjen e statusit. Por padyshim zhvillimi i zgjedhjeve do të jetë mjaft i rëndësishëm dhe do të tregojë vullnetin e mirë të shqiptarëve për të përmbushur reformat e rëndësishme, por definitivisht kjo nuk është një kusht” - deklaroi ministrja e jashtme e Qipros. Qesh komisioneri i zgjerimit kur e pyesin nëse zgjedhjet e 23 qershorit janë një kusht që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat apo jo. Por opozita në Shqipëri është shumë serioze kur artikulon që Bashkimi Europian e kushtëzon marrjen e statusit të vendit kandidat me zgjedhjet e 23 qershorit. Komisioneri Fyle në përgjigjen e tij nuk denjon të përsërisë për të disatën herë një deklaratë mohuese për këtë fakt. Vetëm kujton me ironi se zyrtarët europianë u përpoqën aq shumë të ishin të qartë në rekomandimet e tyre. “Ne aktualisht kemi një kohe të gjatë duke shqyrtuar konkluzionet dhe rekomandimet, të cilat nuk lënë hapësirë të gjerë për interpretime të ndryshme dhe në fakt ka shume interpretime të ndryshme” - u shpreh komisioneri Fyle. Gjithashtu komisioneri Stefan Fyle u bëri sërish apel politikanëve shqiptarë që të përqendrohen tek tre kushtet e mbetura, sepse sipas tij procesi i anëtarësimit bazohet në kredibilitet.
...