E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Protesta e 8 majit përcolli mesazhin e madh të revoltës

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha theksoi sot se protesta e 8 majit përcolli mesazhin e madh të revoltës.

Duke folur në “Foltoren” e vendosur para selisë së Kryeministrisë, Berisha theksoi se qytetarët shqiptarë treguan se nuk dorëzohen.

Berisha theksoi se në 8 maj dhjetëra e mijëra qytetarë u mblodhën për të shprehur revoltën e tyre dhe për të dëshmuar se ata janë shpresa e këtij vendi.

“Kam një nderim të madh dhe të pakufishëm, për ata dhjetëra e mijëra qytetarë që mbushën më 8 maj bulevardin e Tiranës dhe që u bënë pasqyra, morali, imazhi i vërtetë i shqiptarit, në të katërta anët e kombit, në të katërta anët e dheut”, tha Berisha.

Berisha theksoi se në 8 maj qytetarët u bashkuan për t’i përcjellë çdo qytetari të lirë në Europë dhe në botë, se nuk pajtohen kurrë me këtë regjim, i cili shndërron procesin më themelor të demokracisë, zgjedhjet, në farsë zgjedhore.

“Nuk pajtohen me këtë regjim, që për të grabitur zgjedhjet arreston në vitin elektoral, për të mbjellë terror, lidershipin e opozitës. Si persona nën hetim, për të mbjellë terror, i sjell në sallën e gjyqit, në kafaz xhami, duke shkelmuar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke shkelmuar Kushtetutën e vendit, duke shkelmuar Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara të Lirive dhe të të Drejtave të qytetarëve”, shtoi Berisha.

/m.m/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›