E Diel, 1 Nëntor 2026

Interes i lartë për ekspozitën e ATSH-së “Një rrugëtim në historinë e lajmit”

TIRANË, 11 maj /ATSH/ Ekspozita e Agjencisë Telegrafike Shqiptare “Një rrugëtim në historinë e lajmit”, e çelur dy ditë më parë në Kalanë e Tiranës, vijon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve vendas dhe të huaj, duke u shndërruar në një pikë ndalese për këdo që viziton këtë pikë turistike.

Paraditen e sotme ekspozita, e cila do të vijojë të qëndrojë e hapur deri ditën e diel, është vizituar nga qytetarë të shumtë nga vende të ndryshme të botës, mes të cilëve francezë, holandezë, sllovakë, anglezë, polakë, turq, izraelitë dhe kosovarë.

Interesi edhe në ditën e tretë të ekspozitës dëshmon për rëndësinë dhe vlerën që mbart ajo, duke pasqyruar momente kyçe të historisë se vete ATSH-së, por edhe të kulturës dhe zhvillimit të vendit përmes arkivave dhe materialeve të përzgjedhura me kujdes.

Prania e vizitorëve nga kaq shumë shtete është një tregues i qartë i ndikimit që ka kjo ekspozitë në promovimin e trashëgimisë shqiptare përtej kufijve, duke e kthyer atë në një urë lidhëse mes kulturave.

Një qytetar nga Prishtina tha se “më bëri përshtypje shumë ekspozita, pasi i tregon gjeneratës së sotme historinë e mbledhjes dhe shpërndarjes së informacionit në kohën e pas shpalljes së Pavarësisë. Besoj se është në interesin e të gjithëve të njihen me ngjarjet e kohës”.

Një tjetër qytetare shqiptare, por që jeton në Francë, u shpreh se iu duk shumë interesante pajisja e përdorur para viteve ’90 në laboratorin fotografik për të zhvilluar dhe printuar fotografi nga negativët e filmit.

Ekspozita e hapur nga ATSH në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave (DPA) sjell një pasqyrë të plotë të historisë së informacionit në Shqipëri, duke dokumentuar transformimin e lajmit si mjet komunikimi publik, instrument institucional dhe pjesë e kujtesës kombëtare.

Nga dokumentet e para të shtypit shqiptar, te krijimi i ATSH-së si institucioni qendror i lajmit, ekspozita sjell fragmente të historisë së informacionit në Shqipëri përmes fotografive, dokumenteve dhe dëshmive arkivore që kanë shoqëruar momentet më të rëndësishme të vendit.

Pjesë e ekspozitës janë gjithashtu makinat e para të transmetimit, fotografitë bardhezi të dala nga laboratorët të ATSH-së, radiostacionet e hershme, buletinet, telegrafët dhe njerëzit që kanë qenë pas lajmit.

Ekspozita e ATSH, Foto: Andrin Hoxha 1 nga 14

/e.r/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›