GDANSK – Macron: Bllokimi i Ngushticës së Hormuzit një gabim nga të dyja palët

GDANSK, 20 prill /ATSH-AFP/ – Presidenti francez, Emmanuel Macron deklaroi sot se tensionet rreth Ngushticës së Hormuzit përbëjnë një gabim nga të dyja palët, amerikane dhe iraniane, duke paralajmëruar se bllokimi i kësaj rruge detare po ndikon në çmimet e naftës dhe ekonominë globale, ndërsa bëri thirrje për qetësim të situatës.
“Është e mundshme që pas vendimit amerikan për të mbajtur një bllokadë të synuar në Hormuz, veçanërisht ndaj Iranit, autoritetet iraniane kanë ndryshuar qëndrimin e tyre fillestar për rihapjen e ngushticës. Mendoj se është një gabim nga të dyja palët”, u shpreh Macron gjatë një konference për shtyp në Gdansk, Poloni.
Pas njoftimit të së premtes për rihapjen e kësaj rruge detare, Irani u tërhoq të shtunën nga vendimi, duke rindezur tensionet me Shtetet e Bashkuara përpara skadimit të armëpushimit mes tyre.
Teherani deklaroi se vazhdimi i bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane ishte arsyeja për rikthimin e “kontrollit të rreptë” mbi ngushticën.
Një anije e kompanisë franceze CMA CGM u qëllua të shtunën të shtëna paralajmëruese në Hormuz.
Presidenti francez paralajmëroi se situata nuk duhet të çojë në përshkallëzim, por në forcimin e marrëveshjes për rihapjen pa kushte të ngushticës.
“Duhet të vazhdojmë të qetësojmë situatën. Çështjet duhet të zgjidhen përmes diplomacisë. Të gjithë duhet të rikthehen në qetësi”, përfundoi ai./ /Ad.Ab./ a.jor.