Berisha: Protestat do të vazhdojnë për të mbrojtur të ardhmen e shqiptarëve

TIRANË, 9 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një bashkëbisedimi sot me qytetarë në rrjetet sociale, tha se protestat e opozitës do të vijojnë.
Kreu i PD-së falënderoi protestuesit që morën pjesë në tubimin e opozitës të zhvilluar një ditë më parë, duke e cilësuar atë një “kryengritje madhështore” për mbrojtjen e dinjitetit të shqiptarëve, integrimit europian dhe të ardhmes së vendit.
Ai theksoi se opozita do të vijojë përballjen paqësore me qeverinë, teksa shtoi se protesta mori jehonë ndërkombëtare.
“Së pari, dëshiroj të përulem me nderimin më të madh para atyre dhjetëra-mijëra që u bashkuan dje në rrugët dhe sheshet e Tiranës në një kryengritje madhështore për të mbrojtur nderin, dinjitetin e çdo shqiptari, për të mbrojtur ëndrrën më të bukur të shqiptarëve, integrimin në Europë, për të mbrojtur të ardhmen e tyre në Shqipëri. Ishte protesta, kryengritja paqësore e tetë, me një jehonë të jashtëzakonshme botërore”, u shpreh kreu i PD-së.
Berisha shtoi se protestuesit i provuan shqiptarëve se qëndrojnë të pamposhtur para një të keqeje që po e gërryen këtë komb sa asnjë pushtim tjetër në tërë historinë e tij.
“Shqiptarët u janë përjetë mirënjohës për këtë sakrificë që ne do ta vazhdojmë gjer në largimin përfundimtar të kësaj të keqeje të madhe. Ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë të pamposhtur”, tha Berisha.
Kreu i PD-së tha se opozita po ndjek “rrugën e duhur”.
“Natyrisht, duhet të jemi të vetëdijshëm se rruga paqësore nuk është një rrugë e shpejtë, si ndeshja e stadiumit, por është një rrugë e sigurtë”, tha ai.
/m.q/j.p/r.e/