E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: Protestat tona për të mbrojtur dinjitetin e kombit

TIRANË, 18 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se protestat e javëve të fundit kanë qenë protestat më të rëndësishme që opozita ka bërë ndonjëherë.

“Në qoftë se ka pasur protesta për t’i shpëtuar faqen këtij kombi, në qoftë se ka pasur protesta ndonjëherë për të mbrojtur dinjitetin e këtij kombi, kanë qenë protestat që ne bëmë javët e fundit”, u shpreh Berisha në një takim me mbështetës të PD-së në Sukth.

Sipas tij, “shqiptarët kudo që janë presin nga demokratët të përmbushin misionin e tyre”.

“Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë këtë betejë, të vazhdojmë misionin tonë, duke pasur vetëdijen e plotë se është misioni më i rëndësishëm i jetës tonë. Se është misioni i shpëtimit të Shqipërisë”, u shpreh ai.

Berisha tha se 20 shkurti është dita në të cilën shqiptarët kanë triumfuar duke zvarritur figurën më të urryer të historisë së tyre kombëtare, Enver Hoxhën.

Sipas tij, “kurrë nuk ka pasur Shqipëria një regjim më shkatërrimtar se ky”.

“Thirrja është, të përballemi me të. PD kaloi në një kalvar të pamerituar dhe do mbetet në nderin tuaj gjithë jetën vendimet që ju morët për të qëndruar opozitarë të vërtetë, në një kohë kur u bënë përpjekje të jashtëzakonshme për një opozitë fasadë”, iu drejtua Berisha mbështetësve të PD-së në Sukth.

Sipas tij është bërë një përpjekje për ta lënë vendin pa opozitë. “Kanë dashur të shkatërrojnë opozitën, për të pasur opozitën që duan”, tha ai.

Berisha komentoi edhe ndërhyrjen ligjore të iniciuar nga mazhoranca për ndalimin e pezullimit të disa funksioneve kushtetuese.

“Ne sot jemi në pikën më kritike. Këta na thonë se do bëjmë ligjin për të mbrojtur ata për vjedhjet që kanë bërë. Si askund në botë, në vend që të paraqiten para drejtësisë, tani na thonë jo, do vjedhim sa të mundemi. Nuk ka provokim më të rëndë dhe akt më të ulët.
Kurrë një kryeministër nuk ka dalë të thotë tani me ligj unë nuk lejoj këtë veprim apo atë veprim të drejtësisë. Asnjë zgjidhje nuk ka përveç forcës tonë”, shtoi Berisha.

Sipas tij, opozita duhet të përballet deri në rrëzimin e kësaj qeverie.

“Kjo qeveri ka vjedhur në mënyrën më të pakufishme pasuritë tuaja publike. Investimet, 90 deri në 100 për qind e investimeve zhduken dhe nuk kryhen. Kjo do të thotë se vendi shkatërrohet dhe ato para të përcaktuara për investime, nuk prodhojnë punësim, por përfundojnë në llogaritë e qeveritarëve”, tha më tej Berisha.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›