Berisha: Qeveria dhe prokuroria po mbrojnë Hysenin, nuk ka akuzë për grup kriminal

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë dhe organet e drejtësisë se po përpiqen të mbrojnë Vlora Hysenin, pas masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj saj.
Në fjalën e tij në mbledhjen e kryesisë së PD, Berisha theksoi se Ergys Agasi, Vlora Hyseni, Ermal Beqiri dhe Mirlinda Karçanaj kanë vepruar me urdhër të kryeministrit Edi Rama.
“Dhe ky sot, me propagandën e tij, përpiqet të lajë duart me aferën më skandaloze të një shteti, aferë e cila sot është lajm botëror”, deklaroi Berisha.
Ai u ndal te akuzat ndaj Hysenit, duke pretenduar se prokuroria nuk e ka cilësuar atë si anëtare të një grupi të strukturuar kriminal.
“Së pari, prokuroria e partisë nuk e cilëson atë anëtare të grupit të strukturuar kriminal. Lexoni akuzën. Nxjerrje sekreti shtetëror dhe ndihmë të një krimineli”, tha Berisha.
Sipas tij, kjo nuk përputhet me atë që ai e cilëson si rolin e Hysenit në dosjen ku po hetohen persona të tjerë.
Sponsorizuar
Berisha theksoi se Hyseni dhe Ergys Agasi kanë pasur një numër të lartë komunikimesh.
“A e dini ju se që nga dita e arrestimit të Ergys Agasit gjer në ditën e lëshimit të urdhër arrestit, për Vlora Hysenin kanë 510 komunikime. Në 45 ditë ata kanë mbi 10 komunikime çdo ditë”, deklaroi kryetari i PD-së.
Berisha e lidhi çështjen edhe me akuzat që ka ngritur më herët ndaj qeverisë për korrupsion dhe bashkëpunim me grupe kriminale, duke pretenduar se në rastin e Hysenit bëhet fjalë për dhënie të informacioneve shtetërore dhe të dhënave që lidhen me sigurinë kombëtare.
“Edhe njëherë, në qoftë se Balluku ka vjedhur me Edi Ramën, qindra e qindra milionë, kjo iu ka dhënë bandave dhe krimit sekretet shtetërore, sigurinë kombëtare”, tha Berisha.