Berisha: Qeveria të përcaktojë minimumin jetik dhe të ndalë abuzimet

Sali Berisha është ndalur tek projekt ligji për minimumin jetik, propozuar të jetë prej 200 eurosh. Gjatë një Konference për shtyp ku po diskutohet ky projeky ligj, Berisha tha Shqipëria është i vetmi vend që nuk i plotëson qytetarëve të saj minimumin jetik. Për të vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik është një përgjigje e situatës emergjente në të cilën ndodhet vendi ynë.
“Ka një shkak themelor që ka krijuar këtë hendek të tmerrshëm, është vjedhja e madhe që u bëhet qytetarëve, pasurimi duke vjedhur të varfrit i qeveritarëve dhe oligarkëve, klientelës së tyre. Shqipëria është një vend i vetëm që nuk i garanton qytetarëve të vet nuk i mbron ata me një minimum jetik, me të cilin ata mund të blejnë ushqimet si individë dhe si familje, dhe përvec ushqimeve, pak më shumë se gjysma e të ardhurave duhet t’u mbeten për plotësimin e nevojave të tjera. Avokati i Popullit e ka përllogaritur këtë minimum jetik rreth 200 euro. Sot minimumi jetik mesatar në BE është 840 euro, pra është llogaritur një e katërta, ndërkohë që duhet të jemi të vërtetë, cmimet e ushqimeve bazë në Shqipëri janë të njëjta dhe në disa artikuj, edhe më të kushtueshme se në mesataren e BE. Por, vendosja e një pagese prej 200 euro si minimum jetik për person është pa diskutim një përgjigje e situatës emergjente në të cilën ndodhet Shqipëria”, tha Berisha.
Berisha i bëri thirrje qeverisë që të përcaktojnë minimumin jetik pasi sipas tij do të ishte një ndihmë madhe për pensionistët e familjet në nevojë. “Nga kjo pagesë përfitojnë mbi 85% e pensionistëve, të gjithë familjet me ndihmë ekonomike që marrin një mbështetje qesharake, maksimumi 80 mijë lekë, kategori të tjera por duhet të përfitojnë studentët“, tha Berisha.
Berisha tha se sipas tij vendi i ka fondet por qeveria duhet të ndalë vjedhjet dhe abuzimet me taksat.
“Unë ju garantoj se Shqipëria këto fonde i disponon plotësisht, por kjo kërkon që qeveria të mos vjedhë siç po vjedh qytetarët shqiptarë, të mos abuzojë me taksat dhe pasuritë publike”, tha Berisha ndërsa bëri me dije se ka përgatitur ligjin dhe ligji e detyron çdo qeveri që në buxhetin e shtetit, çdo vit të përcaktojë fondin e minimumit jetik.
“Ligji është në parlament, por ne do bëjmë çmos që ta votojmë sa më shpejt”, tha Berisha.
Pak dite më parë disa deputetë të djathtë, depozituan në kuvend prjojekt-ligjin për përcaktimin e minimumit jetik, ku kërkojnë nga qeveria të vendosë një dysheme për pagesat në mënyrë që çdo qytetarë të ketë një jetë dinjitoze.
/rtsh.al/