E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Ndërpritet seanca me Hysenin/ Salianji: Emërimi në SHISH ka patur mjegullnajë, pse ke udhëtuar në Beograd?

Deputeti demokrat Ervin Salianji ka kërkuar shpjegime nga kryetarja e SHISH lidhur me emërimin e saj dhe arsyen e shkarkimit nga Agjencia e Kosovës për Inteligjencë. Sa i përket kësaj të fundit, Salianji kërkoi informacione nëse shkarkimi i saj ka lidhje me Serbinë dhe të sqarojë mjegullnajën e ngritur për emërimin e saj në krye të SHISH e po ashtu edhe për udhëtimet e qëndrimet e saj në Beograd para apo gjatë ushtrimit të detyrës.

“Emërimi i saj në krye të SHISH ka patur mjegullnajë dhe akuza publike nga mediat. A do të shpjegojë me dyer të hapura a ka qenë arsyeja e shkarkimit nga agjencia e Kosovës për inteligjencë, lidhjet me Serbinë apo jo?

Ka pasur akuzë tjetër në kohën që është emëruar në SHISH për udhëtimin dhe qëndrimin para apo gjatë ushtrimit të detyrës në Beograd. A ka përgjigje për këto? Janë çështje që shqetësojnë Komisionin e Sigurisë.

Ka një shqetësim shumë të madh për një shpatallim institucional kur institucioni drejtohej nga drejtuesi i komanduar i SHISH?

Kemi pasur kontakte që drejtuesit profesionistë të SHISH janë zëvendësuar me drejtues militantë. A ka përgjigje drejtoresha e re e SHISH dhe a ka një plan për këtë se ka raportimin vjetor dhe këtyre pyetjeve u duhen dhënë përgjigje”, tha Salianji, i cili po ashtu bëri me dije se ka patur raste kur informacionet e klasifikuara shtetërore janë përdorur si shantazh ndaj personave të caktuar. Në këtë kuadër, Salianji risolli në vëmendje dhe një rast të publikuar në media.

“A ka ndonjë informacion drejtuesja e SHISH për shitjet e informacionit sikurse kanë dalë në publik në rastin kur e ka publikuar një media britanike apo dhe më keq edhe këtu ne e kemi detyrim kur informacione të klasifikuara shtetërore përdoren për shantazh ndaj njerëzve të caktuar. Ja u jap dhe me shembuj”, u shpreh Salianji, deklarata e të cili nxiti reagimin e kreu të Komisionit të Sigurisë, Nasip Naço i cili kërkoi mbylljen e mbledhjes së komisionit.

Raportimi i Vlora Hysenit në komision nuk u zhvillua pasi shumicës së deputetëve i mungonte edhe çertifikata e sigurisë që është dokumenti zyrtar se deputetët janë te sigurt që të dëgjojnë apo lexojnë informacione të klasifikuara sekret nga Shërbimi Informativ. Sipas deputetit Salianji aplikimet për çertifikatat e reja janë bërë por institucionet po vonojnë qëllimisht paisjen e deputetëve me to.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›