Berisha: Qytetarët urrejnë Ramën, regjimin e tij, narkoshtetin sepse duan një Shqipëri normale

Sali Berisha edhe të shtunën ka vijuar komunikimin nga banesa ku ndodhet në masën “arrest shtëpie” me mbështetësit e tij. Sipas tij, terrori dhe frika janë faktorët që i kanë detyruar shqiptarët që të heshtin përballë pushtetit të kryeministrit, Edi Rama.
Berisha deklaroi se nuk ka shqiptar sot që pranon me vullnet, me dëshirë, një qeveri që grabit votën e qytetarëve, një qeveri, e cila ndërsen bandat për të terrorizuar qytetarët dhe një qeveri, e cila, sipas tij, “vjedh qytetarët nga mëngjesi gjer në darkë”.
“Nuk ka shqiptar, që i thotë vetes shqiptar, që do një qeveri që boshatis në mënyrën më të pamëshirë Shqipërinë. Por ka shqiptarë që kanë frikë të ngrenë zërin kundër kësaj qeverie. Ka shqiptarë që kanë frikë të mos i binden bandave që ajo ndërsen kundër tyre. Ka shqiptarë, të cilët ulin kokën, pavarësisht se varfërohen çdo muaj, çdo vit e më shumë. Ka shqiptarë, të cilët ndonëse vendi i tyre tretet para syve të tyre, përsëri nga frika heshtin.”, deklaroi Berisha.
Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të frymëzuar nga mbështetësit e tij, të bashkohen dhe të ecim të sigurt drejt fitores.
“Terrori dhe frika kanë detyruar dhe detyrojnë qindra e mijëra qytetarë të këtij vendi të heshtin, të pajtohen me të keqen më të madhe që ka mbërthyer Shqipërinë pas diktaturës së Enver Hoxhës.
Por kjo nuk do të thotë se ata e duan, se ata e pëlqejnë. Përkundrazi, ata njëlloj si ju, urrejnë Edi Ramën, urrejnë regjimin e tij, urrejnë narkoshtetin dhe duan një Shqipëri normale.”, tha Berisha.
Nuk është e largët dita, që, sipas tij, do të protestohet në Tiranë me qëllimin e vetëm që të vrasin frikën e qytetarëve.
/rtsh.al/