PL: Pagat e mësuesve, programet, kurrikulat dhe politikat arsimore të miratohen me shumicë të cilësuar

Partisë së Lirisë deklaroi të shtunën në një tryezë për arsimin, ku të pranishëm ishin pedagogë, mësuesë, profesionistë dhe ekspertë të fushës, si dhe kreu i saj Ilir Meta, se për këtë parti arsimi është një kryeprioritet kombëtar.
Sipas tij, PL-ja beson se investimi më madhor për të ardhmen e Shqipërisë është pikërisht investimi në arsim dhe se është zgjidhja më e mirë për të ndalur shpopullimin.
Nisur nga ky prioritet, Partia e Lirisë ka edhe 7 propozime konkrete dhe plotësisht të realizueshme, të cilat do ta transformojnë dhe përmirësojnë gjendjen e Arsimit në Shqipëri.
Në dokumentin përfundimtar të kësaj tryeze kërkohet që Kuvendi të miratojë sa më parë një ligj për nivelin dysheme të investimit në arsim dhe kërkim shkencor në nivelin 5% të PBB.
“Aktualisht, buxheti i vitit 2024 financon në vlerën 2.29% të PBB, më i ulëti në rajon dhe i pamjaftueshëm për të adresuar problemet e shumta të arsimit, që kanë ardhur duke u shtuar.”, theksohet në dokument.
Paralelisht kërkohet që niveli i pagave të mësuesve në piramidën e pagave të miratohet me ligj me shumicë të cilësuar.
Sipas PL-së, edhe ligjet kryesore të arsimit të miratohen me shumicë të cilësuar në Parlament dhe po ashtu me shumicë të cilësuar duhet të miratohen edhe strategjitë e arsimit, programet, kurrikulat dhe politikat arsimore.
“Kuvendi të vendosë nivel dysheme për financimin e inovacionit. Aktualisht, inovacioni në Shqipëri financohet në masën 0.05% të PBB, ndërkohë që mesatarja e Bashkimit Evropian është 2.2%.”, kërkon PL-ja.
Partia e Lirisë deklaron se mësuesia dhe shkenca duhet të konsiderohen degë prioritare dhe se duhen bërë investime prioritare në degët e teknologjisë së informacionit.
“Arsimi Profesional duhet të jetë domosdoshmërisht në varësi të Ministrisë së Arsimit. Lidhur me domosdoshmërinë e reformimit të tij, duhen studime të thelluara tregu mbi kërkesën dhe nevojën që ka sot vendi. Duhen hartuar strategji të reja që harmonizojnë kërkesat e një tregu gjithnjë në zhvillim me profesionistët që përgatisin këto shkolla. Me prioritet duhen parë degët si: elektroauto, mekanik, elektriçist, teknik të pajisjeve teknologjike, turizëm dhe shërbime.”, thuhet në deklaratën për shtyp të PL-së.
/rtsh.al/