E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Qytetarëve po iu mohohet e drejta e vetëqeverisjes për arsye elektorale

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha reagoi ashpër në Kuvend ndaj deputetëve që po mbështesin reformën territoriale, sipas tij, kundër interesave të komuniteteve që përfaqësojnë.

Nga foltorja e Kuvendit, Berisha u bëri thirrje përfaqësuesve të Fushë-Arrëzit, Pukës dhe bashkive të tjera që të mos i nënshtrohen presioneve dhe pazareve politike, por të mbrojnë interesat e zgjedhësve.

Ai denoncoi gjithashtu dhunën ndaj kryetarit të Bashkisë Memaliaj, duke e cilësuar si hakmarrje politike ndaj një bashkie që ka refuzuar Edi Ramën.

Në vijim, Berisha paralajmëroi masa ndaj deputetëve që votojnë reformën, duke deklaruar se do të ngrihen “shtyllat e turpit”, ku do të vendosen emrat e atyre që ai i cilësoi si “tradhtarë të zgjedhësve”.

Berisha u ndal edhe te zonat e Manzës, Sukthit, Rrushbullit dhe Ishmit, duke deklaruar se ato përfaqësojnë rreth 105 mijë banorë dhe se, sipas tij, po u mohohet e drejta e vetëqeverisjes për arsye elektorale.

“Nesër, po të dalim në pushtet, do të ngremë shtyllat e turpit për ju”, deklaroi Berisha, duke iu drejtuar deputetëve që mbështesin reformën.

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›