Berisha: Rama bllokon reformat, ka frikë statusin

Kryeministri Berisha
TIRANE- Kryeministri, Sali Berisha tha sot se nuk është Partia Demokratike që ka bllokuar reformën parlamentare dhe atë zgjedhore, por Partia Socialiste. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i qeverisë shprehu dyshime se kreu socialist është duke e bërë këtë sepse ka frikë se mos marrim ndonjë vlerësim pozitiv për statusin.
Për këtë Berisha iu referua vargjeve të Faik Konices; Zoti e ruajt Shqipërinë nga shqiptarët. Kryeministri tha se Konica nuk ka patur parasysh shqiptarët, por individë të veçantë, si kryetari i PS-së, Edi Rama.
Je i vetmi në historinë Ballkanit dhe Europës që bllokon reformat për integrimin e vendit, dhe kërkon kapital politik, mbi fatkeqësitë natyrore.- iu drejtua ai Ramës
Përpjekja për të mashtruar qytetarët, për tu paraqitur si interesuar për reforma, ndërkohë që vet i bllokon, është përpjekje qesharake- tha ai.
Reforma parlamentare
E vërteta është që me urdhër të tij direkt, reforma e rregullores së parlamentit u bllokua që në mbledhjen e parë, dhe dua ti informoj qytetarët. Gjatë vjeshtës që kaloi në serialin e ultimatumeve të Ramës figuronte se rregullorja të kufizonte në 10 minuta kohe, fjalën e kryeministrit, ndërkohë që çdo kushtetutë e çdo vendi demokratik, kryeministrit i njeh të drejtën e fjalës në çdo kohë që ai dëshiron të flasë. Rama duke perceptuar se shqiptarët nuk e kanë ndërmend ta bëjnë ndonjëherë kryeministër, atëherë zgjidhja është ti shkurtojë kohën kryeministrit, është qesharake.-tha Berisha.
Zotërinjtë kërkonin që 60 minutëshi të ishte në fillim në mënyrë që të bllokonin parlamentin, por kjo nuk mund të përsëritet më. Vetë raportet ndërkombëtare e kanë vlerësuar pozitivisht. Rast unik në botë, dekretet të votohen fshehtas. Ndërkohë që ato janë akte ligjore, nuk mund të votohen kurrë fshehtas- vazhdoi kreu i qeverise.
Reforma zgjedhore
Lidhur me reformës zgjedhore, kryeministri tha se, as në komision, as në grup të ekspertëve nuk kanë paraqitur asnjë amendament që nuk është shqyrtuar.
Gjer tani kanë propozime vetëm me dënime, dënime, dënime. Pa diskutim që do të ketë penalitet, por të mendosh të vesh dënime 7 ose 8 vjet, për një fletë votimi. Sta kanë fajin komisionerët, fajin kërkoje tek vetja.- shtoi ai.