Berisha: Rama po bllokon reformën për të bërë të pamundur marrjen e statusit
Gjendja e emergjencës për shkak të motit të keq në vend do të mbahet deri në zvogëlimin e numrit të fshatrave të bllokuara, kompetenca për të cilat do tu kalohet më pas autoriteteve vendore.
Duke folur në mbledhjen e grupit të PD-së, kryeministri Berisha u shpreh se zonat e bllokuara vijojnë të furnizohen me ushqime e liaçe në përputhje me kërkesat e hartuara nga vendorët. Një numër jo i vogël fshatrash janë ende të bllokuara. Në disa raste bora shkon deri në 3 metër dhe rreziku i orteqeve është ende i pranishëm , tha Berisha.
Duke u ndalur në situatën energjetike në të cilën gjendet vendi, Berisha tha se kaskadat janë në nivelet më të ulëta historike, por qeveria është e vendosur ta blejë energjinë, pavarësisht çmimit.
Vazhdon importi dhe mbetet në fuqi vendimi që përsa kohë do të gjejmë do ta blejmë. Çmimi më i lartë i energjisë është mungesa e saj. Këto janë vështirësi të përkohshme, tha kreu i qeverisë.
Sipas tij, deklaratat që vijnë nga kampi socialist në lidhje me mungesën e parashikimit të një fondi për një situatë të tillë deklarata të atyre që duan të kthejnë kohën e ndërprerjeve të energjisë. Për britmat e opozitës se ky veprim është një veprim i pastudiuar dua të thksoj se është jetike për funksionimin normal të një vendi. E lidhur me një seri funksionesh në familje, shoqëri e biznes ne do të bëjmë gjithçka që ajo kurrë të mos mungojë. Këta zotëritë që i linin qytetet 8-16 orë pa drita dhe vetë nuk rrinin asnjë minutë nuk kanë dhimbsurinë e parave të buxhetit dhe por kanë hallin se duan me çdo kusht që të rikthehet koha e tyre e regjimit të ndërprerjeve të energjisë, tha Berisha.
Më tej, kryeministri Berisha u ndal në çështjen e reformës zgjedhore, për të cilën akuzoi Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Rama si përgjegjës për bllokimin e punës. Zoti Rama në një paradoks mashtroi shqiptarët dhe akuzoi PD-në se ka bllokuar reformën zgjedhore dhe reformën e rregullores së Parlamentit. E bëri në kujtim të busteve të gjalla dhe të vdekura të rrëzuara, apo në prag të shqyrtimit që BE-ja u bën këto ditë problemeve të zgjerimit, këtë e di vetëm ai. E vërteta është kjo: Me urdhër të tij direkt, reforma parlamentare u bllokua që në mbledhjen e parë. Në verë vjeshtën 2011 në serialin e ultimatumeve figuronte se kusht ishte që në rregulloren e Parlamentit t`i kufizohej në 10 min fjala në Kuvend kryeministrit. Në çdo rregullore europiane, kryeministri ka të drejtë të flasë në çdo kohë, theksoi Berisha.
Sipas tij, opozita bllokon refomën sepse ka frikë se vendi mund të marë vlerësime pozitive për statusin e vendit kandidat në BE. “Ti zotëri, detyrimin për votimin e ligjeve se ke ndaj meje, por ndaj atyre që të kanë votuar. Ata ta faktuan në 8 maj dhe do ta faktojnë prapë në 2013-n. Je i vetmi në Europë që kërkon kapital politik mbi bllokimin e reformave dhe fatkeqësitë natyrore. Janë fatlum shqiptarët që ky smund të bllokojë dhe është i papeshë”, iu drejtua ai kreut të PS-së, duke e përfunduar fjalën e tij me thënien e Konicës. Thotë Konica, Zoti e ruajtë Shqipërinë nga shqiptarët. Nuk e ka fjalën për popullin, por për persona të caktuar. / G. Ndoja